
Me pankarta ironike, akuza për korrupsion dhe thirrje për dorëheqje, protestuesit në ditën e 15-të të tubimit para Kryeministrisë shprehën pakënaqësinë ndaj qeverisë dhe gjithë klasës politike në vend.
Protesta qytetare para Kryeministrisë ka hyrë në ditën e saj të 15-të, teksa pjesëmarrësit që kanë vijuar të kërkojnë dorëheqjen e Kryeministrit Edi Rama dhe ndryshim të klasës politike në vend.
Përpara nisjes së marshimit në rrugët kryesore të Tiranës, qytetarët mbajtën fjalime dhe shpalosën pankarta me mesazhe të forta kundër qeverisë dhe figurave kryesore politike të vendit.
Mes pankartave që tërhoqën vëmendjen ishte ajo me sloganin “Rama në burg, Berisha në burg”, ndërsa protestues të tjerë kërkonin përgjegjësi politike dhe ndëshkim për korrupsionin. Në një tjetër pankartë shkruhej: “Populli kërkon drejtësi, jo pandëshkueshmëri”, ndërsa një mesazh në anglisht theksonte: “Wherever there is power, greed and money, there is corruption”.
Nuk munguan as pankartat ironike. Njëra prej tyre paraqiste figura politike të montuara me kostume plazhi nën mbishkrimin “Banda”, ndërsa të tjera ngrinin shqetësime për emigracionin, arsimin dhe mungesën e perspektivës për të rinjtë.
Një grup të rinjsh shfaqën pankarta me mesazhin “14 vjeç... në kantier apo në shkollë?”, duke ngritur pyetje mbi të ardhmen e fëmijëve dhe sfidat sociale në vend. Ndërsa një tjetër pankartë shkruante: “Prindërit në punë në universitet, shteti po na çon në aeroport”, duke iu referuar fenomenit të emigracionit.
Gjatë tubimit, protestuesit brohoritën vazhdimisht “Rama ik”, “Rama jepe dorëheqjen”, “Dorëhiqu, por merr edhe Berishën me vete” dhe “Rama n’burg, Berisha n’burg”.
"Burrneshat nuk rrinë n'heshtje kur vendi i vet ka nevojë për zë", ishte një tjetër mesazh i protestuesve.
Pas fjalimeve, qytetarët nisën marshimin tradicional në rrugët kryesore të kryeqytetit, duke vijuar protestën e përditshme që prej dy javësh para godinës së Kryeministrisë.
















Lini një Përgjigje