TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet30 Qershor 2025, 09:47

Berisha sot në bankën e të akuzuarve, gjyqtarja kërkon dorëheqjen: Jam kushërirë me deputeten e PD

Shkruar nga Pamfleti
Berisha sot në bankën e të akuzuarve, gjyqtarja kërkon
Gjyqtarja Elsa Ulliri dhe Sali Berisha

Gjyqtarja Elsa Ulliri ka paraqitur kërkesën për dorëheqje nga gjykimi i dosjes “Partizani”. Dorëheqja është paraqitur tek drejtuesi i GJKKO, Erion Bani. Në argumentet e saj thotë se është kushërirë me deputeten demokrate Andia Ulliri.

Elsa Ulliri ishte caktuar gjyqtare relatore ndërsa anëtarë janë Bib Ndreca dhe Rudina Palloj. Në orën 10:00 nis seanca në themel ku pritet të mësohet edhe vendimmarrja mbi kërkesën e gjyqtares. Nuk dihet nëse është pranuar apo jo kërkesa.

Ndërkohë sot me 30 qershor, në Gjykatën e Posaçme AntiKorrupsion nis procesi gjyqësor ndaj kryetarit të Partisë Demokratike Sali Berisha dhe dhëndrit të tij, Jamarbër Malltezi, për aferën “Partizani”.

Seanca e parë zhvillohet në orën 10:00, ndërsa pak më herët, në 09:30, do të shqyrtohet kërkesa e Malltezit për lirimin nga arresti në shtëpi.

Të akuzuar për korrupsion dhe pastrim parash, Berisha, Malltezi dhe tre persona të tjerë do të gjykohen nga trupa me kryesuese Elsa Ullirin dhe anëtarë Bib Ndrecën e Rudina Palloin. Asnjë prej tyre nuk ka kërkuar gjykim të shkurtuar, çka pritet ta zgjasë procesin.

Sipas SPAK, Berisha dyshohet se ka favorizuar dhëndrin përmes vendimeve qeveritare në kohën kur ishte kryeministër. Malltezi akuzohet për përfitime të paligjshme në vlerën e 5.4 milionë eurove. Në këtë çështje përfshihen edhe Fatmir Bektashi, Xhimi Begeja dhe Andia Pustina, si dhe tre kompani ndërtimi.

Berisha ndodhet në “detyrim paraqitje”, ndërsa Malltezi vijon të jetë në arrest shtëpie. Procesi vjen pas një bllokimi 7-mujor dhe u çua për gjykim pak ditë pas zgjedhjeve të 11 majit.

Kujtojmë se për herë të parë që nga krijimi i GJKKO-së në 19 Dhjetor të 2019, në bankën e të akuzuarve do të ulet një ish-Kryeministër.

elsa ulliri sali berisha spak

Lini një Përgjigje