Industria e basteve në Shqipëri ka krijuar një xhiro prej 3.2 miliardë eurosh, por shteti nuk përfiton asnjë cent nga ky aktivitet. Pas çdo kompanie bastesh qëndron një organizatë kriminale, ndërsa qeveria vazhdon të mos zbatojë ligjin e miratuar prej 2 vitesh, duke lënë miliona euro në dorë të krimit të organizuar
Një panoramë shqetësuese është ajo e industrisë së lojërave të fatit në Shqipëri, ku xhiroja vjetore ka arritur në rreth 3.2 miliardë euro , ndërsa buxheti i shtetit nuk përfiton asnjë cent nga ky aktivitet. Rreth 750 milionë euro që do të derdheshin në buxhetin e shtetit gjatë tetë viteve të fundit janë shpërndarë mes krimit të organizuar, i cili ka financuar jo vetëm veprimtarinë e tij kriminale, por edhe fushata elektorale.
Industria e lojërave të fatit në Shqipëri operon sot me një xhiro vjetore prej rreth 3.2 miliardë eurosh. Kjo shifër rritet ndjeshëm gjatë kampionateve evropiane apo botërore, kur volumi i lojtarëve dhe basteve rritet në masë të konsiderueshme. Megjithatë, asnjë cent nga kjo shumë nuk përfundon në arkën e shtetit.
Paratë që ligji parashikon të shkojnë për shëndetësi, arsim dhe infrastrukturë, po përfundojnë në xhepat e pushtetarëve dhe organizatave kriminale. Nga janari 2019 e deri sot, shteti ka humbur minimalisht rreth 200 milionë euro në vit vetëm nga tarifat e parashikuara në legjislacionin e mëparshëm, për të mos folur për taksat dhe tatimet që nuk janë paguar kurrë.
Si funksionon tregu i basteve sot
Në çdo qytet të Shqipërisë, nëpër kafene, njihen qartë pikat ku luhen bastet. Lokalet që kanë një numër të madh ekranesh sportive tregojnë qartë aktivitetin e tyre.
Kompanitë ilegale ofrojnë ristrukturim të plotë të lokaleve. Investimi varion nga 20 deri në 70 mijë euro dhe përfshin gjithçka: nga kafja dhe ekspresi, te mobilimi dhe dekorimi. Kushti i vetëm është që lokali të përdorë IP-në e tyre për baste. Kështu, bastet luhen për llogari të kompanisë ilegale, duke e bërë të pamundur identifikimin e tyre nga autoritetet. Disa nga këto lloto, ndodhen fare ngjitur me komisariatet e qytetit.
Ky model ka krijuar një rrjet të tërë ku secila kompani kontrollon zona të caktuara gjeografike. Ndarja e territorit është bërë qartë, me përjashtim të kryeqytetit që mbetet një zonë mikse ku interesat e disa organizatave kriminale kryqëzohen.
Krimi i organizuar pas çdo kompanie
Një nga zbulimet më shqetësuese është se sot mbas çdo kompanie bastesh qëndron një organizatë kriminale. Kompanitë e lojërave të fatit, që dikur vepronin legalisht, u detyruan të kishin pas shpine një organizatë kriminale për dy arsye kryesore.
Së pari, këto organizata sigurojnë mbrojtje nga kundërshtarët dhe konkurentët. Së dyti, ato shërbejnë si përmbarues privatë për mbledhjen e borxheve. Nëse një lojtar ka luajtur në mënyrë ilegale dhe ka marrë borxh, organizata kriminale dërgon njerëzit e vet për të arkëtuar. Gangsterët veprojnë si përmbaruesit e industrisë, duke ditur paraprakisht se çfarë biznesi ka lojtari dhe çfarë zotëron, në mënyrë që të vijnë e ta marrin. Gjatë kësaj kohe, këto kompani kanë filluar të financojnë edhe aktivitete të tjera të krimit të organizuar.
Pastrimi i parave përmes kullave dhe resorteve
Paratë e basteve nuk qëndrojnë vetëm në lojëra. Një nga mekanizmat kryesorë të pastrimit të parave nga bastet ilegale janë investimet në prona të patundshme. Kulla luksi dhe resortet turistike po shndërrohen në mjete perfekte për të legalizuar paratë e pista.
Mbi 500 milionë euro nga xhiroja e basteve po derdhen në ndërtime të mëdha, duke i dhënë krimit të organizuar një fytyrë të respektueshme biznesi. Paratë që vijnë nga bastet i përkasin krimit të organizuar dhe ato po pastrohen sistematikisht përmes këtyre investimeve. Shteti, në vend që të kontrollojë këtë fluks parash, vazhdon të mbyllë sytë.
Ligji i miratuar por i pazbatuar
Parlamenti miratoi ligjin e ri për lojërat e fatit, i cili parashikon dhënien e vetëm 8 licencave, me kritere të veçanta që duken të papërmbushshme për subjektet vendase.
Subjektet që kërkojnë licencë duhet të jenë shoqëri aksionere me seli në Shqipëri, të kenë kapital fillestar 400 mijë euro, të deklarojnë burimin e kapitalit dhe të kenë përvojë në fushën e lojërave të fatit jo më pak se 5 vjet. Por kushti më i vështirë është që aplikuesi të ketë përvojë në shtetet e Bashkimit Europian ose të OECD-së. Të paktën njëri nga aksionerët duhet të ketë gjeneruar në vitin e fundit financiar të paktën 2 miliardë lekë xhiro. Ligji kërkon gjithashtu një investitor të huaj si garanci për marrjen e licencës.
Kompanitë që marrin licencë duhet të derdhin në llogaritë e fondit të posaçëm 25% të ardhurave bruto nga loja. Lojtarët do të tatohen deri në 30% të fitimeve.
Megjithatë, më shumë se tre vjet pas miratimit të ligjit, ai nuk është zbatuar. Aktet nënligjore nuk janë miratuar dhe licencat nuk janë dhënë. Ligji u votua në Kuvend, por askush nuk e pengon qeverinë të miratojë aktet nënligjore dhe të hapë procedurat për licencat online.
Megjithatë, fitimet e majme që organizatat kriminale marrin nga kjo industri i kanë bërë pushtetarët të mos e legalizojnë sektorin.
Arrestime simbolike dhe peshq të vegjël
Tabelat e basteve kanë pushtuar çdo cep të qytetit. Janë pozicionuar madje edhe ngjitur me komisariatet e policisë, sikur të ishin dyqane të zakonshme. Efektivët e policisë që rrinë në tavolina me eksponentë të krimit dhe të lojërave të fatit kanë dalë në përgjime e janë filmuar. Të tjerë paguhen me rrogë nga ky biznes i ndaluar.
Kryepolici Skënder Hitaj e nisi mandatin me bujën e madhe të një aksioni kundër basteve. Por goditjet ishin boshe. Sa për të thënë se po vepron. Hitaj, si të gjithë para tij, u dorëzua para mafies së basteve.
Shqipëria ia ka dorëzuar të gjithë industrinë e lojërave të fatit krimit të organizuar. Shteti nuk e kontrollon këtë sektor, por arreston vetëm ca nevojtarë që i gjen nëpër cepa lagjesh.
Miliona euro në vit janë dhuruar atyre që merren me këtë industri. Paratë që do të shkonin në buxhetin e shtetit për qytetarët, shkojnë në buxhetin e pushtetarëve për llogarinë e tyre dhe për pushtetin e tyre.
Industria e basteve në Shqipëri është kthyer në një shtet brenda shtetit, dhe ky shtet nuk paguan taksa, nuk njeh ligje dhe ushqehet nga paratë e qytetarëve, duke e kthyer këtë industri në një nga burimet më të mëdha të financimit të krimit të organizuar në vend. /Pamfleti
Lini një Përgjigje