Autoritetet ruse kanë ndërmarrë një tjetër veprim ndaj opozitës, duke ndaluar politikanin Boris Nadezhdin, një nga figurat që u përpoq të sfidonte presidentin Vladimir Putin në zgjedhjet presidenciale të vitit 2024.
Lajmin e bëri të ditur vetë Nadezhdin përmes kanalit të tij në Telegram.
"Po më dërgojnë në komisariatin e policisë në Dolgoprudny", shkroi ai.
Sipas medias ruse Msk1, e cila citon avokatin Dmitry Trunin, Nadezhdin akuzohet për kundërvajtje administrative lidhur me ekspozimin e simboleve ekstremiste.
Ndalimi vjen vetëm pak ditë pasi politikani dorëzoi dokumentet për të kandiduar në zgjedhjet për Dumën Shtetërore, të planifikuara për muajin shtator.
Të premten e kaluar, Ministria ruse e Drejtësisë e përfshiu Nadezhdinin në regjistrin e "agjentëve të huaj", duke e akuzuar për shpërndarje materialesh të publikuara nga persona dhe organizata të shpallura "të padëshirueshme", për përhapje të "informacioneve të rreme" mbi vendimet e qeverisë, si edhe për nxitje të pjesëmarrjes në protesta dhe tubime të paautorizuara.
Sipas legjislacionit rus në fuqi që prej majit 2024, personat e regjistruar si "agjentë të huaj" nuk mund të kandidojnë në zgjedhje. Megjithatë, Nadezhdin kishte deklaruar se përfshirja në këtë listë nuk do ta pengonte të vazhdonte fushatën për të kandiduar në Dumën Shtetërore dhe për të mbledhur firmat e nevojshme.
Në zgjedhjet presidenciale të vitit 2024, Nadezhdin kandidoi me mbështetjen e partisë pacifiste "Iniciativa Qytetare". Ekipi i tij arriti të mblidhte mbi 100 mijë firma mbështetëse, por Komisioni Qendror i Zgjedhjeve refuzoi regjistrimin e kandidaturës, duke argumentuar se një numër i konsiderueshëm firmash rezultonin të pavlefshme.
Lini një Përgjigje