Aktualitet26 Shkurt 2024, 14:33

BKH sekuestron dosjet e 11 tenderëve me vlerë 14 milionë Euro të Blerim Sherrës, kryetari i Bashkisë Vorë

Shkruar nga Pamfleti
BKH sekuestron dosjet e 11 tenderëve me vlerë 14 milionë Euro
Blerim Sherra /

Përveç kallëzimit, për blerje votash, për krye bashkiakun e Bashkisë Vorë, Blerim Sherra, janë bërë dy kallëzime në SPAK, për korrupsion dhe vjedhje me fondet e investimeve e shërbimeve publike...

Pas krye bashkiakëve Jorgo Goro të Himarës, Dritan Leli të Vlorës, Edison Memolla  të Rrogozhinës, Majlinda Bufi të Roskovecit dhe ish-krye-bashkiakëve Fadil Nasufi e Baftjar Zeqaj të Beratit e Fierit, SPAK ka futur në “rreth të kuq” dhe krye bashkiakun e Vorës, Blerim Sherra.

Motivi i hetimit për të, janë provat e korrupsionit dhe vjedhjes së fondeve të pastrimit, investimeve lokale, ri-ndërtimit të banesave e shkollave të dëmtuar nga tërmeti, për të cilat krye-bashkiaku i Vorës, Blerim Sherra, ka përdorur grande të shtetit e të ardhurat nga taksat.

Në investimet e shërbimet publike në Vorë dhe njësitë administrative, përveç falsifikimit të procedurave, dhënies pa garë e me fonde limit 99-100% të vlerave; janë konstatuar sajim tenderësh fiktivë, caktim fondesh 2-3 herë më tepër se kostoja reale dhe mos kryerje punimesh sipas projekteve e zvarritje punimesh me qëllim shtim fondesh.

Një javë më parë, mbështetur në kallëzimin e bërë 17 shkurt 2023 dhe përsëritur më 3 maj e 16 nëntor 2023, agjentët e BKH kanë sekuestruar dosjet e 11 tenderëve me vlerë 14 milionë Euro, të bërë nga kryetari Blerim Sherra, por kanë marrë dosjet e tyre në Agjencinë e Prokurimeve dhe të dhënat nga Ministria e Financave.

Ndër dosjet e sekuestruara, është e edhe ajo e tenderit të pastrimit të mbetjeve me vlerë 2.7 milionë Euro; të cilit me një urdhër ekzekutiv për gjoja “emergjencë mjedisore” e pa vendim të Këshillit Bashkiak, krye bashkiaku Blerim Shera i shtoi 225 mijë Euro për 90 ditë pastrim.

Është sekuestruar për hetim, dosja e ri-ndërtimit të Shkollës 9-vjecare në fshatin Picar, me vlerë kontrate 1.4 milionë Euro, që duhej të ishte dorëzuar më 10 shkurt 2023, por punimet janë ndalur për gjoja mbarim fondesh, ndërsa krye bashkiaku Blerim Sherra ka bërë preventiv shtesë 500 mijë Euro, me mashtrimin sikur kanë dalë punime të pa parashikuara

Është sekuestruar dosja e tenderit për sistemim-asfaltimin e rrugëve në fshatin “Marqinet 2”, me vlerë 530 mijë Euro, të cilat sipas auditit, janë përllogaritur sa dyfishi i kostos reale të projektit, ndërsa punimet janë marrë në dorëzim pa përfunduar projekti.

Po kështu, dosja tenderit për ri-ndërtimin e Shkollës së Mesme “Isa Boletini” në Vorë me vlerë 2.8 milionë Euro.

Por për krye bashkiakun e Vorës, Blerim Sherra, në SPAK është dhe një kallëzim për blerje votash me para, bonuse qiraje, licenca, bursa e punësime në Bashki, ku përmendet fakti që para zgjedhjeve të 14 majit 2023, punësoi 118 punonjës më tepër se struktura organike e Bashkisë./Pamfleti

blerim sherra bashkia vorë 11 tenderë 14 milionë euro