Gjykata e Lartë do të vendosë më datën 9 prill lidhur me një ankim të bërë nga ish-zv.Kryeministrja Belinda Balluku, e cila kërkon zhbllokimin e pasaportës, pas masës së sigurisë së vendosur nga SPAK ndaj saj, për t’I ndaluar daljen jashtë shtetit.
Balluku është marrë nën hetim nga SPAK për shkelje të barazisë në tendera dhe ndaj saj GJKKO, me kërkesë të Prokurorisë Speciale, caktoi masat e sigurisë “pezullim nga funksionet qeveritare” dhe ndalim të daljes nga vendi.
Për masën e parë, atë të pezullimit nga funksionet, çështja shkoi deri në Gjykatën Kushtetuese, të cilës iu drejtua Kryeministri Edi Rama, që e konsideroi masën si një ndërhyrje të hapur dhe jo-Kushtetuese të një pushteti ndaj një pushteti tjetër.
Por Kushtetuesja nuk arriti të marrë një vendim duke u ndarë 4 me 4, çka bëri që të mbetej në fuqi vendimi i GJKKO-së, pra masa e pezullimit nga detyra.
Edhe Apeli i GJKKO-së ka lënë në fuqi masat e SPAK, ndërsa pritet që Gjykata e Lartë të marrë një vendim, nëse do të lerë ose jo në fuqi masën e vetme të sigurisë ndaj Ballukut, atë të ndalimit të daljes jashtë vendit, përmes bllokimit të pasaportës.
Në të njëjtën datë, Gjykata e Lartë do të marrë në shqyrtim edhe ankimin e Erald Elezit, për të cilin SPAK ka vendosur masën e sigurisë "arrest shtëpie". Elezi kërkon ndryshimin e masës së sigurisë. Elezi ka mbajtur funksionet e administratorit të KESH.
Lini një Përgjigje