Deputeti i PS, Erion Braçe ditën e sotme i është kundërpërgjigjur gazetarit Blendi Fevziu, me disa pamje që tregojnë një parcelë me bostan në zonën e Divjakës dhe thotë se cilësia atje është superiore.
Ai u bën thirrje shqiptarëve që të blejnë pa frikë produktin vendas, sepse është i sigurt.
Erion Braçe thotë se edhe aparatet testuese që po reklamohen në internet për matjen e niveleve të nitratit në fruta e perime janë prodhime kineze që sabotojnë prodhimin vendas.
"Sulzotaj, Divjakë. Në sarajet e një tjetër mbreti në llojin e vet; thotë veç: ekstra! Në fakt bën shalqi të mirë! Ta pyesesh për nitratin që “zbulojnë” ato lodrat kineze sjellë në këtë vend nga importues frutash e perimesh në luftën kundër prodhimit vendas, e fyen; Janë bujq që punojnë drejt e ndershëm!
Prodhimit të tyre as që i afrohet në shije ai turk apo grek që importojnë keta! Të paguajnë per çdo lodër Kine këta importuesit e neveritshëm të tregut të Klodit, kurrë nuk do shesin dot shije si kjo e shalqinit të Divjakës, Çermave, Imshtes, Shkodrës etj! Blini prodhim vendi pa frikë nga lodrat kineze të importuesve", shkruan deputeti Erion Braçe.
Gazetari Blendi Fevziu ditët e fundit ka testuar me një aparat që mat nivelin e nitratit në fruta dhe perime ku rezultonin të dhëna shqetësuese për sa i përket nivelit të nitratit që frutat përmbanin.

Për këtë reagoi edhe ministrja e Bujqësisë, Anila Denaj që tha se pajisjet ishin të pacertifikuara dhe ngjallnin panik.
Sipas saj, në Shqipëri ka laboratorë të licensuar që bëjnë matjen e niveleve të elementëve të caktuar në fruta dhe perime, ndaj nuk mund t'ju besohet aparateve të tilla që kanë kosto minimale dhe blihen kudo në internet, të pacertifikuara.
Lini një Përgjigje