
Parlamenti britanik do të debatojë në datën 17 tetor për Ballkanin dhe sa i takon Shqipërisë, shqetësim shihet korrupsioni...
Korrupsioni në Shqipëri vijon të shihet si gangrenë te shtetet partnere. Më 17 tetor 2023 Dhoma e Lordëve në Parlamentin britanik do të debatojë për Ballkanin dhe pritet të ngrihet ky shqetësim.
Baronesha Helic (Konservatore) do të pyesë Qeverinë e Madhërisë së Tij se çfarë konsiderate i kanë kushtuar situatës së sigurisë dhe politike në Ballkanin Perëndimor dhe sfidave të Marrëveshjes së Paqes së Dejtonit brenda dhe jashtë Bosnjë-Hercegovinës?
Në kuadër të këtij debati që do të mbahet, vetë Parlamenti ka publikuar një raport mbi situatën në Ballkan, përfshirë dhe vendin tonë. Sa i takon Shqipërisë, problem shihet korrupsioni, i cili thuhet se është i shfrenuar.
“Institucionet demokratike të Shqipërisë sfidohen nga politika partiake klienteliste, një proces i vonuar verifikimi gjyqësor dhe nga korrupsioni i shfrenuar. Gjykatat Speciale Kundër Korrupsionit bënë hapa të vegjël në adresimin e korrupsionit gjatë vitit 2022, duke rezultuar në një përmirësim modest të rezultateve në treguesin e korrupsionit [të Freedom House], por kishte pak mundësi për reforma të mëtejshme përpara zgjedhjeve lokale të mbajtura në maj 2023”, thekson raporti, raporton “Pamfleti”
Më tej në raport përmend zgjedhjet e 2021, teksa theksohet se ka pasur blerje votash dhe përdorim të administratës shtetërore nga partia në pushtet.
“Në Shqipëri, zgjedhjet e majit 2021 panë rikthimin në fletën e votimit të të gjitha partive. Vëzhguesit raportuan shqetësime në lidhje me keqpërdorimin e burimeve apo funksioneve shtetërore nga partia në pushtet dhe figura të tjera publike. Prokuroria nisi hetimet për disa raste të raportuara”, thekson më tej raporti britanik.

Po ashtu, duke ju referuar një raporti të “Freedom House” theksohet se “në të gjithë Ballkanin Perëndimor, politika dhe diplomacia e drejtuar nga elita kanë përjashtuar zërat e shoqërisë civile dhe qytetarëve të zakonshëm, duke lejuar liderët antidemokratikë dhe autoritarë të kontrollojnë të ardhmen e vendeve të tyre”.
Më tej i kushtohet një rëndësi e madhe ndikimit rus. Sipas britanikëve, rajoni ynë lakmohet nga Moska.
“Rusia ka pasur tradicionalisht një ndikim të fortë në Ballkanin Perëndimor. Disa argumentojnë se ky ndikim është rritur pasi qytetarët e vendeve të Ballkanit Perëndimor janë zhgënjyer në lidhje me perspektivën e anëtarësimit në BE. Megjithatë, të tjerë kanë argumentuar se ndikimi i Rusisë tani po zbehet, pasi veprimet e saj në Ukrainë zvogëlojnë atraktivitetin e saj si partner.
Aktiviteti ekonomik rus në rajon ka qenë në rënie në krahasim me madhësinë e ekonomisë rajonale, vëren një konferencë nga Shërbimi Kërkimor Parlamentar Evropa:
Megjithëse investimet ruse në rajon janë rritur në terma absolutë, gjurma ekonomike e Rusisë si pjesë e ekonomisë totale në Ballkanin Perëndimor është tkurrur pas sanksioneve ndërkombëtare për aneksimin e Krimesë nga Rusia. Edhe pse ndikimi ekonomik rus është shumë i përqendruar në sektorin e energjisë, pjesa e saj si përqindje e Produktit të Brendshëm Bruto (PBB) po bie në të gjithë rajonin", vijon raporti. /Pamfleti
Lini një Përgjigje