Shqipëria vijon të jetë nën ndikimin e një vale të fortë të të nxehtit, me temperaturat që këtë të hënë arrijnë deri në 40 gradë Celsius në disa zona të vendit.
Meteorologia Tanja Porja tha se nga dita e martë pritet një rënie graduale e temperaturave dhe një paqëndrueshmëri më e madhe e kushteve atmosferike.
Temperaturat maksimale do të arrijnë në Shkodër, Elbasan, Berat, Tiranë, Fier dhe Gjirokastër. Edhe bregdeti do të jetë nën ndikimin e vapës, ndërsa edhe në zonat malore temperaturat do të mbeten gjithashtu të lartaC.
“Sot ne presim një maksimum sërish rreth 40 gradë celcius. Kjo kryesisht në Shkodër, Elbasan, Berat, pra Elbasani dhe Berati është shumë pranë 40°, ndërsa Shkodra 40 ose lehtësisht mbi 40°, situatë e cila do të përmirësohet gradualisht. Bregdeti paraqitet i nxehtë në veriperëndim, pra Durrësi dhe gjithë brigjet e Adriatikut nga Durrësi deri lart në Velipojë. Ndërsa më i freskët bregu i Jonit me 35°C. Edhe në zonat malore sot me gjithnjë rënie prej 1 gradësh maksimumet qëndrore mjaft të larta. Kemi maksimume më të ulëta, pra më freskët mesdita e sotme në juglindje të vendit, ndërsa verilindja vijon të jetë me temperatura të larta 34 maksimumi për Peshkopinë, ndërsa 36 dhe 37 paraqitet Kukësi dhe Hasi. Temperatura këto ekstremisht të larta për në ditët e fundit të qershorit”, tha Porja në A2 CNN.
Meterologia tha se nga pasditja e së martës do të ketë rrebeshe dhe ulje e temperaturave.
“Nga dita e nesërme kemi një rënie të lehtë të vlerave termike dhe kështu në vijim deri në fundjavë deri ditën e enjte kur presim që maksimumi të jetë rreth 34-35 gradë celcius. Ndërsa kemi rrebeshe nga pasditja së martës dhe ne vijim thuajse çdo pasdite në gjysmën lindore të vendit. Shumë më pak në bregdet. Kemi paqëndrueshmëri të kushteve të motit gjatë passiteve dhe më pas kthjellohen kushtet e motit në mbrëmje. Rrebeshe afatshkurtra gjatë pasditeve. Rrebeshe tipike të ditëve të nxehta. Presim që afër fundjavës të kemi mot të freskët”, tha Porja.
Meteorologia theksoi se këto temperatura janë rreth 9 gradë mbi mesataren klimatike të fundqershorit, kur normalisht maksimumet nuk duhet të kalojnë 30 gradë.
Lini një Përgjigje