TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet18 Shtator 2025, 08:44

Dosje "të nxehta" dhe CV e pastër; 7 prokurorët që mund të zëvendësojnë Altin Dumanin në krye të SPAK

Shkruar nga Pamfleti

Drejtuesi i ri i Prokurorisë së Posaçme do të zgjidhet mes prokurorëve të SPAK për një mandat 3-vjeçar pa të drejtë rikandidimi. I gjithë procesi, që nga kriteret e deri të votimi, është i normuar i detajuar në nenet 37 dhe 38 të rregullores së KLP e miratuar në shtator të vitit 2023.

Dosje "të nxehta" dhe CV e pastër; 7 prokurorët që
Prokurorët e SPAK

Këshilli i Lartë i Prokurorisë shpalli dje vakancën për postin e kreut të ri të SPAK, pasi Altin Dumanit i mbaron mandati në 18 dhjetor.

Të drejtën për të kandiduar e kanë të gjithë prokurorët e SPAK, me përjashtim të Altin Dumanit dhe Arben Krajës, të cilët e kanë mbajtur këtë post. Pra 18 prokurat e tjerë të posaçëm kanë të drejtën e aplikimit.

Disa nga emrat më potencialë që mund t’i futen kësaj gare, janë Klodian Braho, Adnan Xholi, Vladimir Mara, Elvin Gogaj, Anita Jella, Doloreza Musabelliu apo Sotir Kllapi.

Në mbledhjen e Këshillit të Lartë të Prokurorisë dje u hap procedura e aplikimit dhe të gjithë ata prokurorë që duan të kandidojnë do të duhet të shprehin interesin e tyre deri në datën 8 tetor.

Më pas kandidatët pasi të kalojnë edhe një proces vettingu do të merren në pyetje.

Këta emra nuk janë të konfirmuar ende, por janë ata që përfliten nga kolegët e tyre si më potencialët.

Por kush është profili i këtyre prokurorëve?

Klodian Braho, njihet si prokuror karriere dhe me rekorde shumë të mira në hetimin e çështjeve kundër korrupsionit, në nivele të larta apo dhe sistemit të drejtësisë.

Adnan Xholi, gjithashtu me rekorde pozitive në hetimin e narkotrafikut, hetime brenda vendit si dhe me taskforca gjermane dhe franceze.

Vladimir Mara, me rekorde pozitive në lidhje me disa hetime të bujshme, në bashkëpunim me antimafien italiane.

Elvin Gogaj, po ashtu njihet për rekorde pozitive sa i përket hetimit të tenderave dhe të hetimit të zyrtarëve dhe në nivel të pushtetit lokal.

Anita Jella, prokurore me rekorde pozitive në fushën e tenderave.

Doloreza Musabelliu, prokurorie që njihet për hetimin e disa çështjeve të bujshme. Ajo vazhdon të jetë në mbrojtje nga shteti jo vetëm sepse hetoi grupin ‘Haxhiu’, por doli në dosje ku emri i saj përflitej që të dëmtohej nga anëtarët e grupit.

Sotir Kllapi, me rekorde në fushën e korrupsionit dhe sidomos ndaj pushtetit lokal, më i fundit ishte Vangjush Dako, e gjithashtu ka në hetim dosjen e Ilir Metës.

Afati kur do të zgjidhet kreu i ri i SPAK

Kandidatët që synojnë drejtimin e Prokurorisë së Posaçme pas 18 dhjetorit kur mandati i Altin Dumanit përfundon do të kenë kohë deri më 8 tetor për shpalljen e kandidatura. Në prani të përfaqësuesve të ambasadës amerikane në Tiranë, Këshilli i Lartë i Prokurorisë çeli zyrtarisht të mërkurë garën.

“Afati për dorëzimin e aplikimeve është deri më datë 8 tetor 2025. Vendimi hyn në fuqi menjëherë. Shpallet në Tiranë, sot më datë 17 shtator 2025. Me 11 vota pro, asnjë kundër miratohet”, tha kryetarja e KLP.

Prania e përfaqësuesve të ambasadës amerikanë tregon se, ashtu siç 3 vite më parë kur u zgjodh Dumani nën monitorimin e ish ambasadores amerikane Yuri Kim, edhe këtë herë ky proces do të ketë vëmendje ndërkombëtare.

Vetëm pak ditë me parë e ngarkuara me punë e SHBA në Tiranë, Nancy VanHorn, tha se “Procesi i përzgjedhjes së pasardhësit së Dumanit duhet të jetë i paanshëm, transparent dhe i lirë nga çdo ndikim i jashtëm dhe se partnerët ndërkombëtarë do ta ndjekin nga afër këtë proces, sepse janë të interesuar që Shqipëria të vazhdojë luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar”.

Drejtuesi i ri i Prokurorisë së Posaçme do të zgjidhet mes prokurorëve të SPAK për një mandat 3-vjeçar pa të drejtë rikandidimi. I gjithë procesi, që nga kriteret e deri të votimi, është i normuar i detajuar në nenet 37 dhe 38 të rregullores së KLP e miratuar në shtator të vitit 2023.

Lini një Përgjigje