Debati për shëndetësinë në Shqipëri është i mbushur me kritika, raste skandaloze dhe akuza të forta, shpesh të drejta, por rrallëherë hapet hapësirë për të parë edhe anën tjetër të sistemit, atë të mjekëve që punojnë çdo ditë pa zhurmë dhe pa mbrojtje mediatike...
Diskutimi për shëndetësinë në Shqipëri është kthyer prej vitesh në një përplasje të vazhdueshme mes rasteve tronditëse, dështimeve të rënda institucionale dhe zhgënjimit të thellë të qytetarëve, ku çdo episod i ri shton mosbesimin dhe forcon bindjen se sistemi funksionon keq dhe se përgjegjësia shpesh humbet rrugës. Ky debat është i domosdoshëm dhe nuk mund të shmanget, sepse pa të nuk ka llogaridhënie dhe as përmirësim. Megjithatë, në këtë vorbull kritikash, rrallëherë gjen vend një diskutim tjetër, më i heshtur, që lidhet me lodhjen e përditshme, përgjegjësinë personale dhe profesionalizmin e mjekëve që vazhdojnë ta ushtrojnë profesionin e tyre pa u bërë pjesë e zhurmës publike.
Pikërisht për këtë arsye Pamfleti sot ndalet te praktika e një mjekeje konkrete, Enriketa Kroi, jo për ta veçuar si figurë të përkryer apo për të zbehur problemet e sistemit shëndetësor, por për të treguar se përtej pamjes së përgjithshme ekzistojnë edhe mënyra të tjera se si ushtrohet mjekësia. Zgjedhja për t’u ndalur te Kroi nuk lidhet me ndonjë rast të bujshëm apo me ndonjë promovim personal, por me faktin se praktika e saj përfaqëson një qasje që rrallëherë artikulohet publikisht: atë ku marrëdhënia me pacienten dhe mënyra e komunikimit janë pjesë e pandarë e aktit mjekësor.
Enriketa Kroi punon si mjeke obstetër-gjinekologe pranë Spitalit Hygeia në Tiranë dhe ne klinikën private ARTEMISIA, merret me ndjekjen e shtatzënive, trajtimin e sëmundjeve gjinekologjike dhe vlerësimin e problemeve të gjirit dhe shëndetit riprodhues në faza të ndryshme të jetës së gruas. Në gjinekologji, një diagnozë nuk mbaron në momentin kur thuhet, sepse shtatzënia, një sëmundje gjinekologjike apo një shqetësim i gjirit, ashtu si çdo gjendje tjetër shëndetësore, ndikojnë drejtpërdrejt në përditshmëri dhe në mirëqenien personale, duke e bërë të domosdoshme që pacientja të kuptojë çfarë po i ndodh dhe pse po merret një vendim i caktuar mjekësor.
Në praktikën e saj të përditshme, vizita nuk kufizohet vetëm te ekzaminimi dhe dhënia e një rekomandimi, por shoqërohet me shpjegime të qarta mbi gjendjen shëndetësore, alternativat e trajtimit dhe pasojat e secilës zgjedhje, çka ndihmon që pacientja të mos mbetet thjesht përfituese pasive e një vendimi, por të jetë e përfshirë në proces. Kjo mënyrë pune, edhe pse nuk është e matshme me statistika, është një element që ndikon drejtpërdrejt në përvojën e gruas me sistemin shëndetësor dhe në besimin që ajo ndërton ndaj mjekut.
Përtej punës klinike, Dr. Enriketa Kroi ka qenë e përfshirë edhe në kërkimin shkencor, duke bashkëpunuar në studime të botuara në revista mjekësore. Në vitin 2010, ajo ishte bashkautore e një studimi të publikuar në Journal of Prenatal Medicine, ku u analizuan 738 gra me preeklampsi ose tension të lartë gjatë shtatzënisë, studim i cili tregoi se raporti midis arterieve cerebrale dhe atyre umbilikale të fetusit mund të ndihmojë në parashikimin e komplikacioneve dhe në drejtimin e kujdesit mjekësor për shtatzënitë me rrezik.
Një tjetër punim ku ajo figuron si bashkautore trajton sëmundjen trofoblastike gestacionale në shtatzënitë jashtë mitre, duke nxjerrë në pah rëndësinë e ekzaminimit histologjik për vendosjen e diagnozës dhe ndjekjen e mëtejshme të pacienteve, ndërsa në vitin 2014, në Albanian Medical Journal, ajo kontribuoi në një studim mbi përdorimin e elastografisë së valës së prerë në diagnostikimin e lezionëve të gjirit, metodë që ndihmon në dallimin e masave beninje nga ato malinje dhe në shmangien e ndërhyrjeve të panevojshme.
Ky shkrim nuk synon të ndryshojë narrativën kritike mbi shëndetësinë dhe as të relativizojë problemet e thella të sistemit, por të shtojë një element që shpesh mungon në debatin publik: faktin se brenda këtij sistemi ka edhe mjekë që e ushtrojnë profesionin me përgjegjësi, lodhje të përditshme dhe një qasje që nuk kërkon vëmendje, por funksionon në heshtje. Pikërisht për këtë arsye, sot u ndalëm te Enriketa Kroi.
Artikull i vertete. Bravo Dr. Keti!
Bravo pamflet. Keti me e mira