TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota 7 Korrik 2026, 13:45

Alarmi i OSBE-së: Kina, Rusia dhe Irani kanë në shënjestër zyrtarët e NATO-s dhe BE-së

Shkruar nga Pamfleti
Alarmi i OSBE-së: Kina, Rusia dhe Irani kanë në
Sesioni i OSBE

Dokumenti i ri paralajmëron se Kina, Rusia dhe Irani po përdorin represionin financiar dhe operacione të fshehta për të goditur individë jashtë kufijve të tyre...

OSBE pritet të paralajmërojë se "zyrtarë aktualë ose ish-zyrtarë të NATO-s dhe BE-së" janë në shënjestër të vendeve si Kina, Rusia dhe Irani, të cilat përdorin "represionin ndërkufitar" për të goditur individë jashtë territoreve të tyre.

Sesioni i 33-të i Asamblesë Parlamentare të OSBE-së, që po zhvillohet aktualisht në Hagë, mbahet në një kohë kur numri i krizave ndërkombëtare është në rritje.

Ndër rezolutat më të rëndësishme të miratuara këtë javë në fushën e sigurisë është një tekst për luftimin e represionit ndërkufitar (Transnational Repression – TNR), shkruan Euractiv.

Të shtunën, në Hagë u zhvillua një tryezë e rrumbullakët me ekspertë mbi këtë çështje, nën drejtimin e parlamentarit italian Mauro Del Barba. "Është e rëndësishme të kuptohet se represioni ndërkufitar është një formë lufte," u tha pjesëmarrësve ish-këshilltari për Sigurinë Kombëtare i SHBA-së, H.R. McMaster.

Sipas gjeneralit në pension, Kina, Rusia dhe Irani e përdorin këtë formë lufte për të minuar rendin ndërkombëtar, duke paralajmëruar se represioni ndërkufitar duhet të trajtohet si një sfidë shumë më serioze për sigurinë. Ai tha se luftimi i këtij fenomeni kërkon, ndër të tjera, përpjekje më të mëdha për dëbimin e oficerëve të padeklaruar të shërbimeve të inteligjencës.

Zyrtarët e NATO-s dhe BE-së mes objektivave

Shkalla e represionit ndërkufitar të drejtuar kundër shoqërive perëndimore mbetet kryesisht e panjohur për publikun, tha për Euractiv një zyrtar gjerman i zbatimit të ligjit. Sipas tij, kjo praktikë shkon shumë përtej shënjestrimit të disidentëve.

Një taktikë që po përdoret gjithnjë e më shpesh është debanking, pra shfrytëzimi i qëllimshëm i mekanizmave të pajtueshmërisë financiare për të ngrirë ose mbyllur llogaritë bankare.

Duke pasqyruar këto shqetësime, rezoluta, e cila pritet të publikohet më vonë gjatë kësaj jave, thekson se:

"Objektivat e represionit financiar ndërkufitar nuk kufizohen vetëm te shoqëria civile, por përfshijnë zyrtarë aktualë ose ish-zyrtarë të NATO-s dhe BE-së, anëtarë parlamentesh, gjyqtarë, shkencëtarë, sipërmarrës dhe donatorë, dhe se sulmet ndaj secilës prej këtyre kategorive duhet të trajtohen si sulme ndaj arkitekturës demokratike, ekonomike dhe të sigurisë së gjithë hapësirës së OSBE-së."

Jorge Jraissati, ekonomist që ka studiuar gjerësisht represionin ndërkufitar dhe mori pjesë në panelin e ekspertëve, e mirëpriti rezolutën.

"Propozimi i OSBE-së përfshin shumë nga analizat tona të politikave dhe rekomandimet për reforma në sistemin ndërkombëtar ligjor dhe financiar," tha ai për Euractiv.

Ndër masat e tjera, rezoluta u bën thirrje shteteve pjesëmarrëse të OSBE-së që ta kushtëzojnë qasjen në marrëveshjet e bashkëpunimit ndërkombëtar me respektimin e standardeve të të drejtave të njeriut dhe garancive për përfshirjen financiare.

"Duke ndjekur rekomandimin tonë, OSBE-ja do t'u bëjë thirrje anëtarëve të saj, veçanërisht atyre që janë pjesë e Grupit të Veprimit Financiar (FATF), të marrin nismën për të përfshirë garanci detyruese lidhur me të drejtat e njeriut dhe proceset e rregullta gjyqësore në Rekomandimet e FATF-së," tha Jraissati. /Përshtati Pamfleti/

 

osbe nato be

Lini një Përgjigje