TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota 7 Korrik 2026, 13:15

Pamje apokaliptike nga Kina/ Përmbytjet marrin jetë njerëzish dhe gjarpërinjtë pushtojnë rrugët

Shkruar nga Pamfleti

Pamje apokaliptike nga Kina/ Përmbytjet marrin jetë njerëzish dhe

Reshjet intensive dhe stuhitë kanë detyruar evakuimin e rreth 50 mijë banorëve, ndërsa autoritetet kanë mobilizuar operacionet e shpëtimit. Shkencëtarët paralajmërojnë se ngjarje të tilla ekstreme pritet të bëhen më të shpeshta për shkak të ndryshimeve klimatike...

Të paktën 15 persona kanë humbur jetën nga përmbytjet që kanë goditur disa rajone të Kinës, ndërsa rreth 5.000 banesa janë dëmtuar dhe 22 janë shembur, raportojnë mediat shtetërore kineze.

Reshjet e dendura dhe stuhitë e forta kanë detyruar evakuimin e rreth 50 mijë banorëve. Sipas raportimeve të publikuara të martën, presidenti Xi Jinping ka kërkuar mobilizim të plotë të forcave të shpëtimit për përballimin e situatës.

Provinca qendrore Hubei u godit të hënën nga një fenomen i rëndë atmosferik, i shoqëruar me stuhi dhe erëra të fuqishme, që prekën qytete si Huangshi dhe Huanggang.

Pamjet e publikuara nga mediat tregojnë shtëpi dhe automjete pjesërisht të mbuluara nga uji, ndërsa ekipet e shpëtimit, të pajisura me jelekë shpëtimi, helmeta dhe gomone, kërkojnë banorët e bllokuar.

Situata është ndërlikuar edhe nga arratisja e rreth 800–900 gjarpërinjve nga një fermë në Hangzhou, pasi objekti u përmbyt. Sipas mediave kineze, shumica janë gjarpërinj uji jo helmues. Megjithatë, një banor është kafshuar dhe po merr trajtim në spital, bëri të ditur një zyrtar lokal. Autoritetet u kanë bërë thirrje qytetarëve të raportojnë çdo rast të shikimit të gjarpërinjve dhe të mos përpiqen t'i kapin vetë.

Në një tjetër incident, një rrëshqitje dheu në një fshat të provincës veriperëndimore Gansu zuri poshtë dheut 33 persona. Sipas televizionit shtetëror CCTV, 17 prej tyre u nxorën më vonë nga ekipet e shpëtimit, ndërsa kërkimet për të tjerët vazhdojnë.

Autoritetet lokale deklaruan se po punojnë me të gjitha kapacitetet për të gjetur personat e bllokuar, për të strehuar banorët e prekur dhe për të parandaluar katastrofa të tjera dytësore.

Shkencëtarët paralajmërojnë se intensiteti dhe shpeshtësia e fenomeneve ekstreme të motit do të rriten në mbarë botën, ndërsa planeti vazhdon të ngrohet si pasojë e emetimeve të gazeve serrë nga përdorimi i lëndëve djegëse fosile.

Kina është emetuesi më i madh në botë i gazeve serrë, por njëkohësisht është edhe një nga investitorët më të mëdhenj në energjinë e rinovueshme. Vendi synon të arrijë neutralitetin e karbonit deri në vitin 2060.

 

kine pamje apokaliptike reshje

Lini një Përgjigje