TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet 7 Korrik 2026, 13:26

Pastruan 30 mln euro në Dhërmi, SPAK çon për gjykim 4 persona; skema si funksiononte

Shkruar nga Pamfleti
Pastruan 30 mln euro në Dhërmi, SPAK çon për gjykim 4
Alvaro Castijo, një prej të pandehurve

Prokuroria e Posaçme thotë se të pandehurit krijuan një skemë për futjen në ekonominë formale të fondeve me origjinë të dyshuar kriminale. Nën sekuestro preventive janë vendosur edhe pasuri të paluajtshme.

Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka dërguar për gjykim pranë Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë procedimin penal ndaj katër personave të akuzuar për pastrim të produkteve të veprës penale dhe përfshirje në një grup të strukturuar kriminal.

Të pandehurit janë: Domingo Romillo Iriarte, Mihaela Munteanu Manole, Alvaro Romillo Castillo dhe Doris Pere. Sipas SPAK, Domingo Romillo Iriarte, Mihaela Munteanu Manole dhe Alvaro Romillo Castillo akuzohen për veprën penale të pastrimit të produkteve të veprës penale, të kryer në kuadër të grupit të strukturuar kriminal, ndërsa Doris Pere akuzohet për pastrim të produkteve të veprës penale në bashkëpunim.

Skema e dyshuar

Nga hetimet ka rezultuar se të pandehurit kanë krijuar dhe përdorur tre shoqëri tregtare në Shqipëri, të identifikuara si "Wingwort" sh.p.k., "Wortnova" sh.p.k. dhe "Wortend" sh.p.k., të regjistruara gjatë muajit qershor 2024.

Sipas organit të akuzës, kompanitë janë regjistruar me kapital minimal, kanë pasur të njëjtën adresë dhe nuk kanë zhvilluar aktivitet real ekonomik. Megjithatë, ato dyshohet se janë përdorur si instrumente për futjen në qarkullimin ekonomik formal të fondeve me origjinë të dyshuar kriminale.

SPAK thotë se gjatë hetimeve janë evidentuar transaksione bankare dhe tatimore me vlera të konsiderueshme, fatura të dyshuara si fiktive, pagesa pa dokumentacion justifikues ekonomik, si dhe transferta ndërkombëtare me subjekte të huaja, të cilat kanë ngritur dyshime mbi ligjshmërinë e aktivitetit financiar të këtyre shoqërive.

Në fokus kompania "Wortend"

Një pjesë e rëndësishme e hetimit është përqendruar te aktiviteti financiar i shoqërisë "Wortend" sh.p.k., për të cilën SPAK pretendon se ka realizuar qarkullime financiare shumë më të larta sesa do të justifikonte aktiviteti i deklaruar dhe kapaciteti real ekonomik i saj.

Sipas dosjes hetimore, janë konstatuar kreditime bankare që tejkalojnë vlerën e faturave të lëshuara, pagesa drejt subjekteve të huaja pa dokumentacion mbështetës, si dhe investime në pasuri të paluajtshme dhe automjete me vlera të konsiderueshme.

Investimet në Dhërmi

Hetimet kanë zbuluar se një pjesë e fondeve është përdorur për blerjen e dy pasurive të paluajtshme në zonën e Dhërmiut, me sipërfaqe totale prej 23.16 hektarësh dhe me një vlerë të deklaruar prej 1.6 milionë eurosh.

Megjithatë, ekspertiza e kryer gjatë hetimit ka arritur në përfundimin se vlera reale e tregut e këtyre pronave, në momentin e blerjes, ka qenë më e lartë se ajo e deklaruar në kontratat e shitblerjes, duke ngritur dyshime edhe për nënvlerësim të pasurive.

Rolet e të pandehurve

Sipas SPAK, Domingo Romillo Iriarte ka pasur rolin kryesor në organizimin dhe funksionimin e skemës së dyshuar kriminale. Organi i akuzës pretendon se ai administronte shoqëritë tregtare, orientonte lëvizjen e fondeve dhe merrte vendime për investimet në pasuri të paluajtshme dhe asete të tjera.

Ndërkohë, Mihaela Munteanu Manole dhe Alvaro Romillo Castillo dyshohet se kanë kontribuar përmes roleve të tyre formale në administrimin e shoqërive "Wortnova" dhe "Wortend", duke krijuar, sipas SPAK, një paraqitje të ligjshme të aktivitetit ekonomik dhe duke lehtësuar qarkullimin e fondeve.

Sa i përket Doris Pere, hetuesit pretendojnë se ajo ka ndihmuar funksionimin e skemës përmes veprimeve administrative, bankare dhe organizative në Shqipëri, duke përfshirë përdorimin e adresave të kompanive dhe kryerjen e pagesave në emër të tyre.

Bashkëpunim me autoritetet spanjolle

Në kuadër të hetimit, SPAK ka bashkëpunuar edhe me autoritetet gjyqësore të Spanjës. Sipas Prokurorisë së Posaçme, informacioni i siguruar përmes bashkëpunimit ndërkombëtar tregon se disa prej të pandehurve janë nën hetim edhe në Spanjë për vepra penale të mashtrimit.

Sekuestro preventive dhe dërgimi i çështjes në gjykatë

Për të garantuar ekzekutimin e mundshëm të vendimeve gjyqësore dhe ruajtjen e pasurive, ndaj aseteve në pronësi të Domingo Romillo Iriarte, Alvaro Romillo Castillo dhe Mihaela Munteanu Manole është vendosur masa e sigurimit pasuror "sekuestro preventive".

Pas përfundimit të hetimeve paraprake, SPAK vlerëson se provat e administruara krijojnë bazë të mjaftueshme për gjykimin e katër të pandehurve, duke ia kaluar çështjen për shqyrtim Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.

Njoftimi i SPAK:

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka dërguar pranë Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë kërkesën për gjykimin e procedimit penal nr.136 të vitit 2024, në ngarkim të të pandehurve:

Domingo Romillo Iriarte, i akuzuar për veprën penale “Pastrim i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, e kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal, “Grup i strukturuar kriminal”,”Kryerje e veprave penale nga grup i strukturuar kriminal dhe organizata kriminale”, parashikuar nga nenet 287, 28/4, 333/a/1 dhe 334 të Kodit Penal.

Mihaela Munteanu Manole, e akuzuar për veprën penale “Pastrim i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, e kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal, “Grup i strukturuar kriminal”, “Kryerje e veprave penale nga grup i strukturuar kriminal dhe organizata kriminale”, parashikuar nga nenet 287, 28/4, 333/a/2 dhe 334 të Kodit Penal.

Alvaro Romillo Castillo, i akuzuar për veprën penale “Pastrim i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, e kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit atë të grupit të strukturuar kriminal, “Grup i strukturuar kriminal”, “Kryerje e veprave penale nga grupi i strukturuar kriminal dhe organizata kriminale”, parashikuar nga nenet 287, 28/4,  333/a/2 dhe 334 të Kodit Penal.

Doris Pere, e akuzuar për veprën penale “Pastrim i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 287/2 i Kodit Penal.
Nga hetimet e kryera ka rezultuar se të pandehurit kanë krijuar dhe përdorur shoqëritë tregtare “Wingëort” sh.p.k., “Wortnova” sh.p.k. dhe “Wortend” sh.p.k., të regjistruara në Shqipëri gjatë muajit qershor 2024 me kapital minimal, me të njëjtën adresë për të tre shoqëritë, por pa zhvilluar veprimtari reale ekonomike.

Sipas provave të administruara, këto shoqëri janë përdorur si mekanizma për futjen e fondeve me origjinë të dyshuar kriminal, në qarkullimin dhe integrimin në ekonominë formale. Hetimet kanë evidentuar, transaksione bankare dhe tatimore me vlera të konsiderueshme, fatura të dyshuara si fiktive, pagesa pa dokumentacion ekonomik justifikues, si dhe transferta ndërkombëtare me subjekte të huaja, të lidhura me personat e përfshirë në këtë skemë.

Shoqëria “Wortend” sh.p.k. ka realizuar qarkullime financiare në vlera të larta, të cilat nuk përputhen me aktivitetin e deklaruar dhe kapacitetet reale ekonomike të saj. Gjithashtu, janë konstatuar kreditime bankare që tejkalojnë vlerën e faturave të lëshuara, pagesa ndaj shoqërive të huaja pa dokumentacion justifikues, si dhe blerje të pasurive të paluajtshme dhe automjeteve me vlerë të lartë. Një pjesë e fondeve janë përdorur për blerjen e dy pasurive të paluajtshme në zonën e Dhërmiut, me sipërfaqe totale 23.16 hektarë, kundrejt vlerës 1,621,200 euro.

Nga akti i ekspertimit vlerësues ka rezultuar se vlera e tregut e këtyre pasurive në momentin e shitblerjes ishte më e lartë se vlera e deklaruar në kontratë.

Gjatë hetimit është administruar informacion i ardhur përmes bashkëpunimit ndërkombëtar nga autoritetet gjyqësore të Mbretërisë së Spanjës, ku rezulton se disa prej të pandehurve janë subjekt hetimi për vepra penale të mashtrimit.

Nga analiza e provave, ka rezultuar se i pandehuri Domingo Romillo Iriarte ka pasur rolin drejtues dhe organizues në krijimin dhe funksionimin e skemës, duke administruar shoqëritë tregtare,  duke orientuar qarkullimin e fondeve dhe vendosur për investimet në pasuri të paluajtshme dhe asete të tjera.

Të pandehurit Mihaela Munteanu Manole dhe Alvaro Romillo Castillo dyshohet se kanë marr pjesë në këtë strukturë kriminale përmes rolit të tyre formal në shoqëritë, “Wortnova” sh.p.k. dhe “Wortend” sh.p.k., duke kontribuar në krijimin e pamjes së ligjshme të veprimtarisë ekonomike dhe në qarkullimin e fondeve.

Ndërsa e pandehura, Doris Pere dyshohet se ka ndihmuar në funksionimin e skemës duke kryer veprime administrative, bankare dhe organizative në Shqipëri përfshirë sigurimin dhe përdorimin e adresave për shoqëritë tregtare, si dhe kryerjen e pagesave të ndryshme në emër të tyre.

Mbi pasuritë në pronësi të të pandehurve Domingo Romillo Iriate, Alvaro Romillo Castillo dhe Mihaela Munteanu Manote është vendosur masa e sigurimit pasuror “sekuestro preventive”.  

Në përfundim të hetimeve, Prokuroria e Posaçme ka çmuar se provat e mbledhura janë të mjaftueshme për dërgimin e çështjes në gjyq në ngarkim të të pandehurve të sipërcituar.

 

pastruan 30 mln euro dhermi spak 4 persona

Lini një Përgjigje