Kryetari i Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushi, theksoi se cilësia e drejtësisë në Shqipëri nuk matet vetëm me shpejtësinë e gjykimit apo statistikat e ngarkesës, por mbi të gjitha me qartësinë e arsyetimit, koherencën e interpretimit dhe parashikueshmërinë e vendimmarrjes.
Gjatë fjalës së tij në konferencën “Cilësia e drejtësisë: qartësi dhe koherencë në interpretim, siguri juridike në zbatim”, Sadushi nënvizoi se mungesa e një praktike gjyqësore të njëtrajtshme krijon pasiguri për qytetarët dhe dobëson besimin publik në sistemin e drejtësisë.
“Shpejtësia pa arsyetim dhe pa koherencë kthehet në rrezik për sigurinë juridike”, u shpreh ai.
Kryetari i Gjykatës së Lartë vuri në qendër të diskutimit rolin e jurisprudencës, veçanërisht të Gjykatës së Lartë dhe asaj Kushtetuese, si shtyllë e stabilitetit ligjor dhe barazisë në zbatim.
Ai pranoi se zbatimi i praktikës së njësuar nuk është gjithmonë i njëtrajtshëm në të gjitha nivelet e gjyqësorit, duke theksuar nevojën për njohje, përdorim real dhe përgjegjësi profesionale nga të gjithë aktorët e sistemit.
“Duhet ta pranojmë gjithashtu se zbatimi i jurisprudencës së Gjykatës së Lartë nuk është gjithmonë i njëtrajtshëm në të gjitha gjykatat. Dallimet në stilin e arsyetimit dhe nivelet e ndryshme të njohjes së praktikës gjyqësore mund të minojnë konsistencën. Në disa raste, vendimet citohen formalisht, por nuk bëhen pjesë e arsyetimit juridik; në të tjera, praktika përkatëse mund të mos merret fare në konsideratë. Kjo nuk rregullohet vetvetiu: kërkon njohje, përdorim dhe përgjegjësi profesionale”, tha Sadushi.
Ai renditi edhe detyrat, që siç tha duhet të kthehen në tri objektiva konkrete.
“Ndikimi praktik i jurisprudencës së Gjykatës së Lartë në arsyetimin gjyqësor dhe në qëndrueshmërinë e vendimeve; Përmirësimi i shpërndarjes, aksesueshmërisë dhe përdorimit të strukturuar të praktikës në të gjithë sistemin; Përpjekje të koordinuara institucionale për të rritur qartësinë ligjore, parashikueshmërinë dhe efikasitetin”, tha ndër të tjera Sadushi.
Lini një Përgjigje