TAGS-AT E JAVËS

Dosja e zezë 5 Korrik 2026, 13:10

Kryetarja e AKPT, Adelina Greca, 'topografja' e pazareve të Ramës që hartoi ndryshimet e kufijve, nuk lëviz nga karrigia prej 13 vitesh

Shkruar nga Pamfleti
Kryetarja e AKPT, Adelina Greca, 'topografja' e pazareve të
Adelina Greca, AKPT/

Adelina Greca, 13 vjet në krye të AKPT-së, ka qenë 'topografja' e masakrave territoriale që nxorën mijëra shqiptarë në rrugë. Protestuesit kërkojnë anulimin e statusit strategjik dhe ndryshimeve në zonat e mbrojtura, por pas çdo harte të ndryshuar qëndron 'gruaja e hartave' që Rama refuzon ta lëshojë

Kryeministri Edi Rama ka mbajtur në krye të Agjencisë Kombëtare të Planifikimit të Territorit të njëjtën grua për trembëdhjetë vjet rresht, në një periudhë ku ministrat ndërrohen si doreza. Adelina Greca drejton AKPT-në që prej dhjetorit 2013, e mbrojtur nga Rama si një "teknikja" e pafajshme, ndërsa nën hundët e saj shqiptarët humbën mijëra hektarë bregdet dhe male në zona të mbrojtura. Por tani, kur qytetarët kanë dalë në rrugë me  kërkesat që tronditin themelet, Greca dhe institucioni i saj dalin në pah si autorët e padukshëm të çdo harte të ndryshuar dhe çdo sipërfaqeje të grabitur nga natyra.

Pasi protestuesit kërkuan anulimin e statusit për investitorët strategjikë, anulimin e ndryshimeve në Ligjin për Zonat e Mbrojtura dhe anulimin e Paketës së Maleve, kryeministri Edi Rama nuk ka dhënë asnjë përgjigje, por pas skenave qëndron "gruaja e heshtjes", Adelina Greca, e cila për trembëdhjetë vjet ka firmosur teknikisht çdo masakër territoriale që protestuesit po kërkojnë të rrëzojnë.

Dihet që AKPT nuk voton dhe nuk firmos vendimet finale, por Adelina Greca, duke qenë e preferuara e Edi Ramës, ka qenë arkitektja kryesore që përgatiti çdo hartë, çdo koordinatë dhe çdo llogaritje sipërfaqeje mbi të cilën Këshilli i Ministrave votoi.

Ashtu si Adelina Greca vepronte si "topografe" e pazareve të Ramës kur hartonte kufijtë e rinj të Pishë Poro-Nartës, duke nxjerrë jashtë mbrojtjes mbi 10.665 hektarë natyrë të mbrojtur, një sipërfaqe e barazvlefshme me 15 mijë fusha futbolli.

Në fakt, Adelina Greca e ka nisur "zanatin" e manipulimit të hartave në dhjetor 2013, kur Edi Rama e vendosi në krye të AKPT-së pikërisht në momentin kur po përgatitej plaçkitja e parë e madhe e bregdetit shqiptar. Për "meritat" si eksperte e ndarjes së territorit në zona që lejojnë ndërtim, Babloku e ka mbajtur në atë post pa asnjë ndërprerje.

Aq e domosdoshme ishte Adelina Greca në rishikimin e kufijve, sipas planeve që bënte Edi Rama, sa në qeveri e quanin "ustallesha e koordinatave të ndryshuara". Prandaj, pas çdo shkeljeje të raportuar nga aktivistët mjedisorë, ajo vijonte të mbetej në krye të të njëjtit institucion, duke transferuar përgjegjësinë tek ministrat që ndërroheshin si "corape".

Me disa masakra territoriale në dosjen e saj, dy raste të dokumentuara

- Më 26 tetor 2022, Këshilli i Ministrave miratoi VKM Nr. 694, që hoqi statusin e mbrojtur nga 5.551,7 hektarë tokë të ekosistemit Pishë Poro-Nartë, dhe njëkohësisht ngushtoi kufijtë e zonës mbetur nga 21.238,0 hektarë në 16.124,61 hektarë. Gjithsej, mbi 10.665 hektarë natyrë e mbrojtur u hodhën jashtë çdo mbrojtjeje, një sipërfaqe e barazvlefshme me afërsisht 15 mijë fusha futbolli. Propozimi formal erdhi nga Ministria e Turizmit dhe Mjedisit, por çdo hartë dhe çdo koordinatë e bashkëngjitur këtij vendimi mban gjurmën e domosdoshme teknike të Agjencisë që Greca drejton prej trembëdhjetë vjetësh.

- Brenda territorit të mbetur pas VKM 694, vetë vendimi e ndau zonën në tri nënzona. Zona qendrore me mbrojtje strikte mori vetëm 6.904,02 hektarë, ndërsa zona e dytë, e etiketuar "përdorim tradicional dhe zhvillim i qëndrueshëm", mori 8.780,49 hektarë, ku ligji lejon shprehimisht ndërtim infrastrukture. Domethënë, më shumë se gjysma e territorit që në letër quhet "i mbrojtur", në fakt lejon ndërtime.

Për këto dy raste nuk dihet nëse Prokuroria apo SPAK ka nisur ndonjë hetim, apo nëse këto shifra do të kalojnë në harresë si çdo masakër tjetër mjedisore në Shqipëri.

Në vitet 2013-2026, pavarësisht se nën drejtimin e saj u hoqën nga mbrojtja mijëra hektarë tokë, Adelina Greca ka mbetur në krye të AKPT-së, duke i shërbyer vetëm një njeriu: Edi Ramës.

Ndërsa tani, protestuesit kërkojnë anulimin e statusit për investitorët strategjikë, anulimin e ndryshimeve në Ligjin për Zonat e Mbrojtura dhe anulimin e Paketës së Maleve.

Por kush i hartoi teknikisht këto ndryshime?

Kush llogariti sipërfaqet që dolën jashtë mbrojtjes?

Kush e strukturoi ligjin në mënyrë që zonat "e mbrojtura" të lejonin ndërtim?

Përgjigja është e thjeshtë: Adelina Greca dhe AKPT-ja e saj, të cilët për trembëdhjetë vjet kanë qenë arkitektët e padukshëm të çdo masakre territoriale që sot ka nxjerrë mijëra shqiptarë në rrugë. /Pamfleti

akpt edi rama adelina greca

1 Komente

  1. J
    Jehona

    Jo vetem qe duhet te hidhet poshte ligji i ndryshimeve te bera per zonat e mbrojtura, por duhet te anullohen te gjitha vendimet dhe te drejtat e mara nga kushdo ne emer te ketyre ligjeve " su misura" ( oligarke te huaj e shqiptare ) te gjithe hajdute te pasurive te paprekshme te natyres tone. Te rrezohen te gjitha vendimet e mara per ndertim kullash dhe rezortesh ne qytete te medha dhe laguna te heshtura !!! Quhet tradheti ndaj atdheut, perdhosje e besimit te popullit dhe shkaterrin, degradim dhe prishje te nje ekosistemi qe na ka dhuruar natyra. Ky lloj turizmi nuk eshte as elitar dhe as zhvillim. Eshte renim per 10 vitet e para pas ndertimit ( asnje takse nuk do te paguhet nga investitoret strategjike) dhe te gjithe vitet me pas do te jene si gerdalla bosh se do te kthehen si "favelas luksi "i thençin... Shikoni si jane katandisur Tenerifet pas bumit turistik te viteve 80...Ashtu si shume hotele dhe ndertime madheshtore kane shperfyryruar plazhin e Golemit, Durresit , Tiranes qe ngrihen madheshtore dhe arrogante ne cdo lloj peisazhi dhe arkitekture vetem per investim te parave te dyshimta, vetem per reabilitim pasurie per ata qe pastrojne te ardhurat dhe aspak ne dobi te komunitetit. Keto veprime manipulatore te ligjit kane targen: shperdorim detyre, manipulim te ligjit per interesa klienteliste dhe qoka investitoresh, konflikte interesi, etj, etj dhe mbi te gjitha tradheti ndaj atdheut - token e mbrojtur si pasuri kombetare seeshte e te pareve tane- as duhet te tjetersohet dhe as te shitet mbi te gjitha te huajve !!!!

    Lini një Përgjigje