TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet14 Nëntor 2023, 12:07

Dritan Rexhepi përplas policinë shqiptare me atë italiane; u arrestua për llogari të Romës dhe do ekstradohet atje

Shkruar nga Pamfleti
Dritan Rexhepi përplas policinë shqiptare me atë italiane; u
Dritan Rexhepi /

Bashkë me policinë e Ekuadorit dhe Turqisë, në operacionin e gjurmimit, lokalizmit, identifikimit dhe arrestimit në Stamboll, ka qenë Interpol Roma e asnjë agjent i FAST-Albania, por mes drejtësisë e policisë shqiptare dhe asaj italiane, ka nisur gara ndërkombëtare e ekstradimit të Dritan Rexhepit, për ta pasur secili si trofe e propagandë suksesi...

Pas arrestimit në Stamboll të Dritan Rexhepit, bosit të kokainës në Ekuador e Kolumbi dhe me rrjet trafiku në Europë, Italia e Shqipëria kanë kërkuar ta ekstradojnë për llogari të tyre.

Ditën e arrestimit, policia italiane e quajti sukses të “Interpol Roma” në bashkëveprim me policinë e Ekuadorit e policinë anti-drogë të Stambollit; dhe bëri me dije se kishte nisur procedurat e përshpejtuara, për ta ekstraduar Dritan Rexhepin në Itali, ku është dënuar me 20 vite burg për trafik kokaine.

Nga ana tjetër edhe policia shqiptare e quajti sukses arrestimin e Dritan Rexhepit, dhe bëri me dije se bashkë me “Interpol Tirana”, ka nisur kërkesën për ekstradimin e tij në Shqipëri, ku është i dënuar me 25 vite burg për vrasjen e 2 policëve në Fushë-Krujë dhe akuzohet si porositës i rrëmbimit e zhdukjes se Jani Prengës në Kamzë.

Kështu, mes drejtësisë e policisë shqiptare dhe drejtësisë e policisë italiane, ka nisur gara ndërkombëtare e të drejtës për ekstradimin e Dritan Rexhepit, për ta pasur secili si trofe e propagandë suksesi për vete.

Informacioni konfidencial, që “Pamfleti” ka siguruar nga zyra e “Interpol Tirana”, bën me dije se shanset për të fituar të drejtën e ekstradimit të Dritan Rexhepit i ka drejtësia italiane, paçka se në Shqipëri ai është dënuar për vrasjen e dy policëve dhe ka urdhëruar e financuar rrëmbimin, vrasjen dhe zhdukjen e trupit të një personi.

E vërteta është, se policia dhe drejtësia shqiptare e kanë shpallur Dritan Rexhepin në kërkim ndërkombëtar, shumë kohë më parë se policia e drejtësia italiane, por të dhënat e operacionit të arrestimit të tij në Turqi, ia japin Italisë të drejtën e ekstradimit fillestar.

Favori është ky: Policia anti-mafie e Italisë dhe “Interpol Roma”, kanë qenë pjesë e operacionit kompleks të gjurmimit, lokalizimit, identifikimit dhe arrestimit të Dritan Rexhepit, bashkë me policinë e Ekuadorit e të Turqisë.

Edhe dosja e krejt operacionit, që policia turke e ka dorëzuar në Prokurorinë dhe Gjykatën Drejtuese Primare të Stambollit, ka të regjistruar si palë bashkëpunimi partnerët italianë, dhe thuhet se arrestimi është bërë për llogari të drejtësisë italiane.

Ndërsa nga policia, FAST-ALBANIA e Interpol-Tirana, nuk ka pasur asnjë përfaqësues në aksionin e gjurmimit, lokalizmit, identifikimit dhe arrestimit të Dritan Rexhepit as në Ekuador e as në Turqi, por edhe pala turke nuk e kishte njoftuar palën shqiptare për organizimin e aksionit, mbasi partnere ishte vetëm pala italiane.

Për këtë rrethanë zyrtare e partneriale, policia e drejtësia italiane, pretendojnë se janë më të favorizuar nga drejtësia turke, për të marrë në dorëzim  bosin e kokainës Dritan Rexhepi.

Ndërsa Shqipëria, logjikisht e ka radhën për ta futur në kafaz, pas mbarimit të dënimit në Itali; por le të presim e të shohim çfarë çdo ndodh./Pamfleti

dritan rexhepi itali shqipëri roma ekstradimi

Lini një Përgjigje