
Ambasadori i BE-së, Silvio Gonzato deklaroi se reforma në drejtësi është vërtet çelësi i përparimit të Shqipërisë drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Në një intervistë për “Top Story”, Gonzato deklaroi se qëllimi i reformës në drejtësi dhe SPAK-ut është goditja e korrupsionit në nivel të lartë dhe krimit të organizuar. Ai theksoi se deri më tani është bërë një punë e mirë nga SPAK-u, por pritet më shumë prej tyre.
Ambasadori pranoi se ka dhe do të ketë presione politike ndaj SPAK-ut dhe drejtësisë së re, por theksoi i bindur se këto institucione do t’iu bëjnë ballë këtyre presioneve.
Pjesë nga intervista:
Grida Duma: Le të ndalemi ose le të fillojmë nga reforma në drejtësi. Është më e rëndësishmja, siç e shohim ne si pushtet mediatik tani, që mund të krijojë në një farë mënyre një ekuilibër pushtetesh. Ju keni qenë shumë i zëshëm dhe shumë i drejtpërdrejtë sa i përket efikasitetit të sistemit të drejtësisë. Keni thënë, nëse njerëzit nuk e ndiejnë këtë, nuk jeni në standardin e duhur. Kjo nuk mund të jetë vetëm në letër. Proceset e zgjatura në të kaluarën janë ende aty. Dhe lobimi politik në emërimet e disa këshilltarëve apo magjistratëve e kështu me radhë është ende aty.
Tani, brenda pak ditësh, kemi zgjedhjet në strukturën më të rëndësishme, SPAK. A mendoni vërtet se politika nuk ka ndërhyrë në këtë strukturë tani? A është më i rëndësishëm, le të themi, perceptimi i njerëzve se vetëm SPAK-u mund ta ndalojë korrupsionin? Është një perceptim, por le ta shohim.
Ambasadori: Jo, faleminderit që e nisët me këtë pyetje, sepse mendoj se reforma në drejtësi, siç thatë edhe ju, është vërtet çelësi i përparimit të Shqipërisë drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian. E kemi theksuar vazhdimisht. Dhe nëse e shikoni raportin e progresit, do të shihni se kur merremi me luftën kundër korrupsionit, luftën kundër krimit të organizuar, arritjet e SPAK-ut vihen në pah. Por ne kërkojmë më shumë. Në raport shihni se ne kërkojmë të intensifikohen hetimet financiare, të rritet sekuestrimi i aseteve dhe pronave që u përkasin kriminelëve, të intensifikohet bashkëpunimi me agjencitë e zbatimit të ligjit të shtete anëtare. Pra, ne duam më shumë, por e vlerësojmë atë që është bërë deri më tani.
Por do të shihni gjithashtu se raporti theksoi, dhe kjo është diçka me të cilën isha shumë i lidhur, theksoi nevojën për një drejtësi të zakonshme më të mirë dhe më efikase, sepse ndiej dhe më intereson fakti që qytetarët e zakonshëm nuk i shohin vërtet avantazhet, përfitimet e reformës. Në fakt, ata ndoshta kanë parë një përkeqësim të vogël të standardeve, për shkak të vendeve të lira, sepse pati edhe një reformë të të gjithë strukturës së gjykatës, etj. Tranzicionet janë gjithmonë të vështira. Tranzicionet gjithmonë kanë një kosto, dhe për këtë arsye duhet të kesh një perspektivë afatmesme deri në afatgjatë dhe të mendosh, në rregull, tani nuk është edhe aq mirë, por e di që do të arrij në një fazë ku gjërat do të jenë më mirë. Por kjo është edhe arsyeja pse kam qenë shumë i angazhuar me institucionet e pavarura të drejtësisë, sepse siç them gjithmonë, pavarësia shoqërohet me llogaridhënie dhe efikasitet.
Pra, këtyre institucioneve tani u është dhënë pavarësi. Dhe ato, sigurisht, do të kenë presione politike, dhe kjo do të vazhdojë, por ato janë shumë më të qendrueshme, ato mund të rezistojnë, po, po, jam i bindur për këtë. Dhe e shihni në mënyrën se si marrin vendime, etj. Por ata gjithashtu duhet të marrin përgjegjësi, ato janë institucionet që duhet të menaxhojnë gjithë gjyqësorin, gjithë sistemin gjyqësor. Dhe kjo është arsyeja pse, përsëri, në raportin e progresit, do të shihni se ne këmbëngulim shumë në faktin që ata duhet të vendosin rregulla transparente për rekrutimin e magjistratëve, për vlerësimin e magjistratëve, sepse mund të vlerësosh integritetin e një gjyqtari ose prokurori një herë, por nëse nuk vazhdon ta bësh këtë, e dini, prapë mund të kesh raste korrupsioni brenda gjyqësorit. Pra, nevojitet një vlerësim i vazhdueshëm i integritetit të magjistratëve. Dhe këto janë gjëra që ata duhet të bëjnë. Ata duhet të emërojnë kryetarët e gjykatave që ende nuk janë emëruar. Pra, ka shumë vendime që duhet të marrin. Topi është në anën e tyre.
Lini një Përgjigje