
Agjencia iraniane e lajmeve “Tasnim” e kontrolluar nga shteti, shkruan se iranianëve të strehuar në Shqipëri u është ndërprerë aksesi në internet.
Siç raporton kjo agjenci, ndërprerja e internetit në kampin “Ashraf-3” në Manëz të Durrësit është bërë për të ndaluar aktivitetin e tyre “të jashtëligjshëm”.
Kujtojmë se grupi i muxhahedinëve që strehohen në Shqipëri janë nën hetim nga SPAK, pasi dyshohet se nga territori shqiptar kanë kryer sulme kibernetike kundër Iranit.
Ndonëse lajmi mbetet i pakonfirmuar, kjo agjenci lajmesh disa ditë më parë ka raportuar edhe për përgatitjet e muxhahedinëve për t’u zhvendosur nga Shqipëria.
Sipas “Tasnim”, muxhahedinët po shohin mundësinë për t’u vendosur në Kanada.
Një burim informacioni sipas "Tasnim" thase anëtarët e MEK kanë finalizuar planin e zhvendosjes pasi qeveria e Shqipërisë dhe gjykata e vendit, vendosën kufizime ndaj grupit, ndaj edhe krerët e organizatës po bëjnë përgatitje për tërheqjen graduale të anëtarëve të tyre nga Shqipëria.
Po i njëjti burim vuri në dukje se anëtarët e MEK nuk kanë arritur të marrin pëlqimin e Francës për zhvendosjen e tyre në një kamp në Auvers-sur-Oise ose në periferi të Parisit.
Kjo lëvizje e Muxhahedinëve vjen dy javë pasi qeveria e Shqipërisë e ndaloi hyrjen në vend të Maryam Rajavi, kryetare e MEK. Rajavi u largua nga Shqipëria në Francë në fund të qershorit, pasi forcat e policisë shqiptare bastisën kampin e Manzës, ku sekuestruan 150 pajisje kompjuterike, që dyshohet se janë të lidhura me aktivitete terroriste.
Lini një Përgjigje