Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky njoftoi ditën e sotme se zhvilloi një bisedë telefonike me Kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama ku diskutuan situatën e fundit të luftës dhe bashkëpunimin dypalësh.
Me anë të një postimi në rrjetin social “X”, Zelensky tha se kishte informuar Ramën për sulmet e fundit ruse me raketa dhe drone, duke theksuar se këto veprime tregojnë qartë se Rusia nuk ka ndërmend të ndalojë luftën.
Gjatë bisedës, Zelensky ndau edhe faktin se kishte ftuar Kryeministrin Rama që të marrë pjesë në Samitin Ukrainë – Evropa Juglindore, ftesë të cilën Rama e kishte pranuar.
”Bisedë me Kryeministrin e Shqipërisë @ediramaal. Zhvillova një bisedë të frytshme me Kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama. E informova për sulmet e fundit ruse me raketa dhe drone. Këto sulme tregojnë edhe një herë se Rusia nuk ka ndërmend të ndalojë luftën. Prandaj, nevojitet presion i fortë për ta ndaluar atë. Shpresojmë që të gjitha hapat e nevojshëm në këtë drejtim të ndërmerren së shpejti.
Diskutuam gjithashtu bashkëpunimin tonë me partnerët evropianë dhe unitetin mes nesh. Ftova Kryeministrin të marrë pjesë në Samitin Ukrainë – Evropa Juglindore, dhe Shqipëria do të jetë e përfaqësuar. Faleminderit, Shqipëri, për mbështetjen ndaj Ukrainës dhe popullit tonë”, shkruan Zelensky.
Lini një Përgjigje