Kupa e Botës ka sjellë ndryshime të mëdha edhe në vlerat e futbollistëve në tregun ndërkombëtar. Performancat e disa prej yjeve më të mëdhenj kanë ndikuar drejtpërdrejt në përditësimin e fundit të “Transfermarkt”, ku disa lojtarë kanë parë rritje të ndjeshme të vlerës së tyre.
Në majën e renditjes qëndrojnë dy emra të mëdhenj të futbollit modern: Lamin Jamal dhe Erling Haland. Të dy sulmuesit vlerësohen me nga 220 milionë euro, ndërsa talenti i Barcelonës ka shkruar historinë duke u bërë futbollisti më i ri që kap shifrën e jashtëzakonshme të mbi 200 milionë eurove në treg.
Pas tyre vjen Kilian Mbape, me një vlerë prej 200 milionë eurosh, ndërsa një nga rritjet më të mëdha i përket Majkëll Olize. Francezi ka shtuar plot 20 milionë euro në vlerësimin e tij dhe tashmë kushton 170 milionë euro, duke u bërë lojtari me vlerën më të lartë në historinë e Bajernit të Mynihut.
Në listën e yjeve më të shtrenjtë vijojnë Jude Belingam me 160 milionë euro, Pedri me 150 milionë euro dhe Vinicius Zhunior me 140 milionë euro.
Edhe Eliot Anderson dhe Julian Alvarez kanë përfituar nga përditësimi i fundit, duke rritur ndjeshëm vlerën e tyre në treg. Mesfushori anglez vlerësohet tashmë me 120 milionë euro, ndërsa sulmuesi argjentinas me 110 milionë euro.
Ndërkohë, dy ikonat e futbollit botëror, Lionel Mesi dhe Kristiano Ronaldo, ndodhen shumë larg shifrave të yjeve të rinj. Për shkak të moshës dhe fazës së karrierës, argjentinasi vlerësohet me 15 milionë euro, ndërsa portugezi me vetëm 10 milionë euro.
Një tjetër dëshmi se futbolli po kalon gradualisht te një brez i ri yjesh, ku talentet e rinj po arrijnë shifra rekord në tregun e transferimeve.
Lini një Përgjigje