
Ish-deputeti demokrat, Ervin Salianji ka reaguar në rrjetet sociale pas vrasjes së mbrëmjes së djeshme në Elbasan, ku humbi jetën biznesmeni 43-vjeçar, Edmond Hyka alias Mondi Mëhalla.
43-vjeçari u ekzekutua me dy plumba në kokë, teksa doli nga zyra e tij në afërsi të një karburanti në pronësi të tij në Unazën Jugore të Elbasanit.
Salianji shkruan se vrasja e mbrëmjes së djeshme në Elbasan tregon degradimin e rendit dhe sigurisë publike.
"Vrasja e sotme në Elbasan, pas një serie ngjarjesh kriminale në gjithë Shqipërinë, tregon qartë degradimin e rendit dhe sigurisë publike. Nën qeverisjen e Ramës, vrasjet janë bërë puna më e lehtë, kryhen ku të duan, si të duan dhe kur të duan!
Qeveria që i ka dhënë hov, mbështetje dhe pushtet politik bandave dhe krimit të organizuar. Ka ulur në minimum autoritetin e shtetit dhe respektin për ligjin. Sot, krimi nuk ka më frikë nga shteti, përkundrazi, qytetarët nuk e kuptojnë dot më ku mbaron shteti dhe ku fillon mafia, për shkak të bashkëpunimit politik dhe të favoreve të ndërsjella që marrin grupet kriminale.
Shqipëria është lënë në dorë të bandave, ndërsa qeveria merret me propagandë, fasada dhe luks. Kjo gjendje nuk ndryshon me arsyetime, nuk mbulohet me fjalë, por kërkon reagim dhe ndryshim të menjëhershëm politik, për t’i rikthyer qytetarëve sigurinë dhe shtetit autoritetin", shkruan Salianji.
Lini një Përgjigje