
Nga hetimet ka rezultuar se veprimet e kryera përbëjnë elementët e veprave penale të korrupsionit aktiv dhe pasiv në zgjedhje.
Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizua, SPAK ka dërguar për hetim një nga çështjet e para të lidhura me korrupsionin në zgjedhjet e 11 majit 2025. SPAK mësohet se ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar për gjykim Pandeli Bozhën dhe Vladimir Lushkajn, pasi Bozha akuzohet se bleu vota për vajzën kandidate të Partisë Social Demokrate, PSD në Qarkun e Fierit.
Nga hetimet rezulton se është dokumentuar një episod i ndodhur më 8 maj 2025, rreth orës 10:00, kur Pandeli Bozha ka vizituar banesën e Vladimir Lushkaj. Sipas provave, Bozha i ka futur në xhep Lushkaj një kartëmonedhë dhe i ka treguar një fletë të ngjashme me atë të votimit, ku emri i një kandidati për deputet ishte theksuar me ngjyrë portokalli, duke i sugjeruar për kë të votonte. Pas marrjes në pyetje, Lushkaj ka dorëzuar te policia gjyqësore kartëmonedhën dhe fletën në fjalë, të cilat janë sekuestruar si prova. Nga hetimet ka rezultuar se veprimet e kryera përbëjnë elementët e veprave penale të korrupsionit aktiv dhe pasiv në zgjedhje.
"SPAK përfundon hetimet dhe dërgon çështjen në gjykatë për korrupsion në zgjedhje. Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar përfundoi hetimet dhe dërgoi në Gjykatën e Posaçme kërkesën për gjykim të procedimit penal nr.60/1 të vitit 2025, në ngarkim të të pandehurve: Pandeli Bozha – i akuzuar për veprën penale “Korrupsion aktiv në zgjedhje”, i parashikuar nga nenet 328 i Kodit Penal Vladimir Lushkaj – i akuzuar për veprën penale të “Korrupsionit pasiv në zgjedhje”, i parashikuar nga neni 328/b i Kodit Penal.
Hetimet për këtë procedim penal janë zhvilluar përmes metodave proaktive. Gjatë procesit hetimor, nga kqyrja e pamjeve filmike dhe veprimet procedurale të autorizuara nga prokurori është dokumentuar një episod i datës 08.05.2025, rreth orës 10:00, kur shtetasi Pandeli Bozha ka shkuar në banesën e shtetasit Vladimir Lushkaj. Në këtë takim, Pandeli Bozha i ka futur në xhep një kartëmonedhë dhe i ka treguar një fletë të ngjashme me atë të votimit, duke i sugjeruar emrin e kandidatit për të cilin duhet të votonte.
Pas marrjes në pyetje, shtetasi Vladimir Lushkaj ka dorëzuar pranë oficerëve të policisë gjyqësore kartëmonedhën dhe një fletë të ngjashme me atë të votimit, ku emri i kandidatit për deputet ishte theksuar me ngjyrë portokalli. Këto materiale janë sekuestruar si prova në kuadër të këtij procedimi penal. Nga tërësia e veprimeve hetimore ka rezultuar se veprimet e dokumentuara përmbushin elementë të veprave penale të “Korrupsionit aktiv në zgjedhje” dhe Korrupsion pasiv në zgjedhje”, të parashikuara respektivisht nga nenet 328 dhe 328/b të Kodit Penal", thuhet në njoftimin e SPAK.
Kujtojmë se kreu i SPAK, Altin Dumani, deklaroi dy ditë më pare se janë evidentuar 192 raste të dyshuara për krime zgjedhore. Ai shtoi se janë regjistruar 43 procedime penale, të cilat kanë kaluar në fazën e hetimit aktiv, ndërsa për 43 raste të tjera është vendosur mosfillimi i procedimit penal. Po ashtu, Dumani theksoi se 40 materiale kallëzuese janë dërguar për kompetencë pranë prokurorive të rretheve, ndërsa 17 të tjera janë bashkuar me procedime ekzistuese.
Lini një Përgjigje