TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet24 Mars 2026, 11:01

Gara për Kryepolicin e ri, Rama thërret në takim ministra e zv.ministra; a po e drejton procesin nga vila 30?

Shkruar nga Pamfleti
Gara për Kryepolicin e ri, Rama thërret në takim ministra e
Rama e Lamallari

Procesi i përzgjedhjes së emrit që do të paraqitet për miratim në Kryeministri nuk zgjat më shumë se 48 orë, çka do të thotë se nëse intervistimet mbyllen ditën e sotme, atëherë brenda të enjtes, ministri i Brendshëm, Besfort Lamallari, përcjell emrin e kandidatit më potencial...

Në një kohë kur Komisioni i posaçëm i ngritur nga Ministria e Brendshme pritet të nisë intervistimet me 14 kandidatët për kreun e Policisë së Shtetit, Kryeministri Edi Rama ka thirrur në një takim ministrat Besfort Lamallari, Ervin Demo dhe Toni Gogu, si dhe zv.ministrat e Brendshëm, Anisa Ruseti, Xhemal Qefalia dhe Silva Caka. Gjithashtu i pranishëm është edhe Sokol Bizhga, drejtuesi i komanduar i Policisë. 

Burimet bëjnë më dije se në këtë takim, të thirrur nga Kryeministri, po diskutohet lidhur me drejtorin e ri të Policisë së Shtetit, ndërsa duket se po jepen udhëzimet e fundit lidhur me përzgjedhjen, por edhe me çështjen e adresave, e prekur më herët nga Rama, dhe që ka kërkuar të zgjidhet me një bashkëpunim mes Ministrisë së Brendshme dhe asaj për Pushtetin Vendor.

Por çështja më sensitive mbetet ajo e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit. Fakti që një nga të pranishmit në takimin me Ramën është edhe pjesë e Komisionit të posaçëm, e përforcon idenë që qarkullon prej ditësh, se konkursi për Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë, do të kalojë nga zyra e Kryeministrit.

Konkursi u çel menjëherë pas largimit të Ilir Prodës nga posti i kryepolicit, ndërsa si shkak u shfrytëzua mungesa e masave të sigurisë në ish-vilën e ish-diktatorit, Enver Hoxha, gjatë një proteste të opozitës.

Komisioni i Posaçëm në Ministrinë e Brendshme përbëhet nga zv/ministrja e Brendshme Silva Caka, Sekretarja e Përgjithshme e Ministrisë së Brendshme, Kledia Ngjela dhe kreu i AMP-së Eduart Merkaj. Ata do të vlerësojnë kandidatët e paraqitur dhe më pas do të bëhet edhe renditja me pikë për secilin prej tyre, bazuar në aftësitë drejtuese, eksperiencën, vlerësimet e mëparshme në rolet që kanë pasur, por edhe në atë se çfarë do të ofrojnë në pozicionin e drejtimit, nëse shpallen fitues.

Nga gara, u skualifikuan pas një verifikimi paraprak dy kandidate, Suela Sulkaj dhe Ejona Gurbardhi, të cilat nuk kanë qenë më parë pjesë e strukturave të Policisë së Shtetit.

Procesi i përzgjedhjes së emrit që do të paraqitet për miratim në Kryeministri nuk zgjat më shumë se 48 orë, çka do të thotë se nëse intervistimet mbyllen ditën e sotme, atëherë brenda të enjtes, ministri i Brendshëm, Besfort Lamallari, përcjell emrin e kandidatit më potencial. Gjithçka ka të bëjë në këtë fazë finale me atë se pavarësisht vlerësimit që mund të bëjë Komisioni, emri që do të përcillet për miratim, do të përzgjidhet nga ministri i Brendshëm, që më pas e propozon si kandidaturë.

Aktualisht, Policia e Shtetit drejtohet nga i komanduari, Sokol Bizhga, që mban funksionet e zv.Drejtorit të Përgjithshëm. Në garën për kreun e ri të Policisë së Shtetit janë përfshirë disa nga drejtorët e Policisë së Qarqeve, por edhe një prej zv.Drejtorëve, Neritan Nallbati. Po kështu Rebani Jaupi, Saimir Boshnjaku, Skënder Hita dhe Tonin Vocaj, janë disa nga emrat e tjerë me eksperiencë që garojnë për postin e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, dhe që më parë kanë mbajtur funksione drejtuese dhe kanë synuar këtë pozicion.

Ajo që tërheq vëmendjen është se në vitet e fundit, asnjë prej drejtorëve të përgjithshëm të Policisë së Shtetit nuk ka mundur të përmbyllë mandatin e plotë 3-vjeçar, sikundër parashikon ligji. Gledis Nano u shkarkua nga detyra pak muaj pasi mori emërimin, ndërsa më parë ishte pjesë e ekipit drejtues të anti-terrorizmit. Ilir Proda që e zëvendësoi në këtë detyrë u shkarkua gjithashtu nga Kryeministri pa përmbyllur mandatin.

Kandidatët që garojnë

Afrim Tafa

Alfred Çepe

Arjanit Arapi

Elidon Çela

Gentian Berberi

Gentjan Shehaj

Idajet Faskaj

Lorenc Panganika

Neritan Nallbati

Pëllumb Seferi

Rebani Jaupi

Saimir Boshnjaku

Skënder Hita

Tonin Vocaj

 

rama kryepolici gara

3 Komente

  1. B
    Bora

    Tonin Vocaj ka.shume mundesi te jete kryepolici

    1. D
      Dulla

      Afrim Tafa më i miri

      1. O
        Opionisti

        Mund te mbehete reforma te tjera ne polici 1 kandidate per sheriff 2 kandadidate polici popullore 3 kandida per karambiner 4 kandidate per xhandameri 5 kandidate ne polici komunitete 5 kandidate polici kosove shqiperi 6 kandidate polici shkollore 7 kandidate per polici finacjare 8 kandidate per polici

        Lini një Përgjigje