TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet24 Janar 2026, 21:59

Gazi lotsjellës nuk kurseu as reporterët, Unioni i Gazetarëve dënon aktet e policisë

Shkruar nga Pamfleti

Gazi lotsjellës nuk kurseu as reporterët, Unioni i Gazetarëve

Në protestën kombëtare të Partisë Demokratike, zhvilluar më 24 janar në Tiranë, nuk kanë shpëtuar as gazetarët. Gazi lotsjellës i përdorur nga Policia e Shtetit për të shpërndarë protestuesit mbuloi gjithë bulevardin, përfshirë edhe zonat ku ndodheshin reporterët dhe operatorët mediatikë. Pamjet tregojnë qartë gazetarë të përlotur, me vështirësi në frymëmarrje, ndërsa vijonin të raportonin në kushte të rënda.

Unioni i Gazetarëve Shqiptarë (UGSH) ka reaguar me forcë, duke e cilësuar ngjarjen një akt të papranueshëm dhe të dënueshëm ndaj lirisë së informimit dhe të drejtës për të raportuar. Sipas tyre, përdorimi i lëndëve lotsjellëse ndodhi pikërisht në pikat ku ishin vendosur gazetarët për të ndjekur nga afër zhvillimet e protestës. Në vend që të mbrohej puna e tyre, uniformat e shtetit e kthyen misionin informues në një rrezik për shëndetin dhe integritetin fizik.

UGSH u ka bërë thirrje të gjithë gazetarëve të prekur të denoncojnë dhe dokumentojnë çdo episod, duke përfshirë pamje, dëshmi dhe identifikimin e personave përgjegjës – qoftë urdhërdhënës apo zbatues. Në deklaratë thuhet se kjo sjellje përbën shkelje të lirive themelore dhe cenim të demokracisë, ndërsa përgjegjësit duhet të dalin përpara drejtësisë.

Sipas Unionit, policia ka treguar një sjellje injoruese ndaj misionit të gazetarëve, duke i kthyer në “reporterë që lotojnë për shkak të detyrës”. Rasti i Tiranës është një tjetër dëshmi e tensionit në rritje mes autoriteteve dhe mediave, në një kohë kur transparenca dhe informimi janë më të nevojshëm se kurrë.

UGSH ka kërkuar reagimin e organizatave kombëtare dhe ndërkombëtare të lirisë së shtypit, për të ndëshkuar këtë akt të rëndë institucional. Protesta përfundoi, por debati për trajtimin e gazetarëve sapo ka nisur.

Lini një Përgjigje