TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet18 Qershor 2026, 15:27

GJKKO jep dënimin e parë për Pëllumb Gjokën, vetëm 6 vite burg për biznesmenin e lidhur me bandat

Shkruar nga Pamfleti
GJKKO jep dënimin e parë për Pëllumb Gjokën, vetëm
Pëllumb Gjoka & GJKKO

Edhe pse ndaj biznesmenit Pëllumb Gjoka rëndojnë akuza të rënda për sigurim kushtesh për vrasje, korrupsion dhe pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal, GJKKO e dënoi me 6 vite burg pas përfitimit nga gjykimi i shkurtuar. Ndërkohë, akuza për vrasjen e Gjin Ndojit do të shqyrtohet në një proces të veçantë gjyqësor.

Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) ka dënuar me 6 vite burg biznesmenin Pëllumb Gjoka, në kuadër të dosjes së njohur si “Metamorfoza”. Ky konsiderohet dënimi i parë ndaj Gjokës në këtë procedim penal, i cili lidhet me një pjesë të akuzave të ngritura nga Prokuroria e Posaçme (SPAK).

Sipas vendimit të gjykatës, Gjoka u shpall fajtor për akuzat e “sigurimit të kushteve dhe mjeteve materiale për të kryer vrasje” në dëm të shtetasve Kleanthi Musabelliu, Dorjan Duli dhe Ibrahim Lici. Ai gjithashtu u deklarua fajtor për “korrupsion aktiv të funksionarëve të drejtësisë” dhe për pjesëmarrje në “grup të strukturuar kriminal”.

Fillimisht, GJKKO caktoi ndaj biznesmenit një dënim prej 9 vitesh burgim. Megjithatë, për shkak të përfitimit nga gjykimi i shkurtuar, që sjell uljen me një të tretën e dënimit, masa përfundimtare u reduktua në 6 vite burg, të cilat do të vuahen në një institucion të sigurisë së lartë.

Nga ana tjetër, gjykata e shpalli të pafajshëm Gjokën për akuzën e “mbajtjes pa leje dhe prodhimit të armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”.

Ndërkohë, procedimi penal që lidhet me vrasjen e Gjin Ndojit (Boriçi), ngjarje e ndodhur më 9 gusht 2020 në Shkodër, do të shqyrtohet në një proces të veçantë gjyqësor.

Në të njëjtën dosje, GJKKO shpalli fajtor edhe ish-zyrtarin e Policisë së Shtetit, Ardit Hasanbegaj. Ai u akuzua për sigurimin e kushteve për kryerjen e vrasjeve të Dorjan Dulit dhe Ibrahim Licit, si dhe për pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal.

Gjykata e dënoi Hasanbegajn me 7 vite e 6 muaj burgim. Pas aplikimit të gjykimit të shkurtuar, dënimi i tij u ul në 5 vite burg në një burg të sigurisë së lartë. Si masë plotësuese, gjykata vendosi t’i heqë të drejtën për të ushtruar funksione publike.

Sipas SPAK, ndaj Pëllumb Gjokës janë ngritur disa akuza të rënda, përfshirë “vrasjen me paramendim” në dëm të Gjin Ndojit, “sigurimin e kushteve dhe mjeteve materiale për të kryer vrasje” ndaj disa shtetasve, “korrupsionin aktiv të gjyqtarit, prokurorit dhe funksionarëve të tjerë të drejtësisë”, si dhe akuzën për armëmbajtje pa leje. Megjithatë, vendimi i shpallur nga GJKKO lidhet vetëm me një pjesë të këtyre akuzave, ndërsa çështje të tjera vijojnë të jenë objekt i procedimeve të ndara gjyqësore.

gjoka gjkko

3 Komente

  1. N
    Nebi

    Organizate kriminale porosi vrasjesh, narko, grabitje pronash me fallsifikine, denohet 6 vjet. Po ky doli, 3 I beri, do shperblehet per sjellje donjitoze ne burg . Bravo.

    1. z
      zhdrejtesia e re

      Drejtesi e re me ustallar te vjeter! Vrasjet jane si tregu i fruta perimeve dhe ne fund me shume denohet 1 qe nderton gardh se ata qe kane porositur, organizuar dhe paguar dhjetra vrasje.

      1. R
        Romeo juristi i njohur

        Gallatë e madhe. Vrasje, pastrimi parash, trafik narkotikesh të forte, grup i strukturuar kriminal, siguriminin e kushteve per kryerjen e veprave penale etj., dhe si perfundim 6 vjet Burg. Bravo GJKKO! Bravo SPAK!

        Lini një Përgjigje