
Në bazë të vendimit, sikundër raportohet, News24 dhe mediave të tjera brenda grupit mediatik, u lejohet të kthehen në ambientet e tyre të punës, sikundër të gjitha pajisjet që në mënyrë të dhunshme u morën nga forcat e policisë dhe ushtrisë, përfshi edhe dokumentet dhe dosjet e punës së gazetarëve, duhet t’u kthehen
News24 ka fituar gjyqin në Gjykatën e Tiranës, duke rrëzuar në këtë mënyrë të gjitha veprimet e deritanishme të Policisë dhe Ushtrisë, që me një urdhër më shumë se politik se ligjor, ndërhynë dhunshëm mëngjesin e së shtunës, duke ndërprerë sinjalin e televionit dhe duke mos lejuar gazetarët të ushtronin detyrën e tyre.
Gjykata vendosi që "Panorama Group" sh.a të kthehet te ambientet, të cilat të shtunën në orën e para të mëngjesit u zaptuan nga Policia e Shtetit dhe KAYO e Ardi Veliut.
Gjykata vendosi që gazetarët të aksesohen në mjediset e kompanisë dhe brenda 48 orëve të rikthehen sendet dhe materialet që KAYO mori me kamionë.
Gjykata vlerëson të paligjshëm ndërhyrjen dhe kufizimin e gazetarëve dhe pengimin e tyre në ushtrimin e detyrës.
Vendimi në favor të kompanisë Fokus Media News, ku bëjnë pjesë News24, BalkanWeb, Panorama, Gazeta Shqiptare dhe Radio Rash, është marrë nga një treshe gjyqtarësh, ku asnjë prej tyre duket se nuk ka legjitimuar vendimet e deritanishme.
Në bazë të vendimit, sikundër raportohet, News24 dhe mediave të tjera brenda grupit mediatik, u lejohet të kthehen në ambientet e tyre të punës, sikundër të gjitha pajisjet që në mënyrë të dhunshme u morën nga forcat e policisë dhe ushtrisë, përfshi edhe dokumentet dhe dosjet e punës së gazetarëve, duhet t’u kthehen.
Bazuar në këtë vendim të Gjykatës Administrative duket se i jepet fund situatës së paprecedentë të krijuar në mjediset ku prej më shumë se dy dekadash operonte televizioni News24 dhe mediat e tjera të Fokus Media News, që u sulmuan dhunshëm mëngjesin e së shtunës nga dhjetra forca policore.
Mëngjesin e së shtunës, forca të shumta policore, zbarkuan në mjediset e Fokus Media News, duke mos lejuar gazetarët të hynin në ambientet e punës, ndërsa godinave iu ndërpre energjia elektrike dhe sinjali, duke mos i lejuar të ushtronin detyrat e tyre.
Kjo situatë zgjati për disa orë, pa asnjë sqarim apo njoftim, ndërsa më pas ishte ushtria që u shfaq në mjediset e kompanisë mediatike. i gjithë ky operacion drejtohej nga Ardi Veliu, ish-drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, i cili me një vendim qeverie është emëruar si drejtor i KAYO sh.a, një kompani që do të merret me prodhimin e materialeve ushtarake.
Po me një vendim qeverie, mjediset ku prej dy dekadash përdoreshin nga kompania mediatike, i kishin kaluar KAYO, ndërsa një prej godinave, sikundër është pohuar edhe nga Ministria e Ekonomisë, është në kontratë deri në 2033 me grupin mediatik.
Çdo veprim i policisë dhe ushtrisë është kryer pa një shkresë, gjë që duket se ka ngritur shumë pikëpyetje lidhur me atë se çfarë po ndodhte dhe mungesën e një baze ligjore në ndërhyrjen e dhunshme. /Pamfleti/
Lini një Përgjigje