
Gazetarja Klodiana Lala ka zbuluar detaje të reja mbi arrestimin e të shumëkërkuarit Adi Çobo nga Byroja Kombëtare e Hetimit (BKH), duke deklaruar se operacioni u zhvillua pa përfshirjen e Policisë së Shtetit për shkak të dyshimeve për dekonspirim.
E ftuar në "Të Paekspozuarit", Lala tha se, ndryshe nga rastet e mëparshme kur urdhër-arrestet ekzekutoheshin nga Policia e Shtetit me mbështetjen e BKH-së, në këtë rast Byroja vendosi të vepronte e vetme.
"Operacioni 'Ura' goditi klanin e Visit të Pojës, u arrestuan disa persona, pjesa tjetër e dosjes ishte hetuar nga italianët. BKH, që nga nisja e funksionimit, në momentin kur janë nxjerrë urdhër-arrestet, janë përcjellë për ekzekutim policisë dhe ka struktura të posaçme që, të mbështetura nga BKH, kanë kryer operacionin. Në rastin konkret ka pasur veprime të kryera nga policia, por ky person nuk arrestohej dhe kishte dyshime për dekonspirim, ndaj BKH vendosi ta kryejë vetë operacionin", u shpreh Lala.
Sipas saj, hetuesit mbajtën në vëzhgim bashkëshorten e Adi Çobos dhe ndërhynë në momentin kur ajo shkoi në apartamentin ku ai po qëndronte.
"U vëzhgua bashkëshortja e Adi Çobos dhe mbrëmjen e kaluar, kur bashkëshortja ka vajtur në apartamentin ku ai qëndronte, BKH ka ndërhyrë dhe e ka arrestuar", deklaroi gazetarja.
Lala tha se arsyeja e anashkalimit të Policisë së Shtetit ishte klima e thellë e mosbesimit dhe dyshimet për rrjedhje informacioni.
"Pse është anashkaluar policia? Sepse ka klimë të thellë mosbesimi. BKH nuk mund të kryejë të gjitha arrestimet, normalisht bashkëpunimi me policinë nuk ndalet, por duhet gjetur urë komunikimi dhe bashkëpunimi. I takon zotit Braho dhe zotit Hita", u shpreh ajo.
Gazetarja solli në vëmendje edhe shqetësimin e ngritur nga Klodian Braho në Komisionin e Reformës Zgjedhore, sipas të cilit ekzistojnë shumë urdhër-arreste të paekzekutuara.
"Zoti Braho në Komisionin e Reformës Zgjedhore ngriti një shqetësim dhe tha se kemi shumë urdhër-arreste dhe nuk ka arrestime. Policia duhet të pastrohet nga segmentet e inkriminuara, që kanë thelluar klimën e mosbesimit", përfundoi Lala.
Lini një Përgjigje