
Një raport i fundit i inteligjencës italiane është prezantuar në Parlamentin e Italisë lidhur rolin e krimit shqiptar në aktivitetet kriminale.
Të dhënat e institucioneve kryesore të sigurisë italiane kanë ofruar një panoramë të gjerë mbi kërcënimet aktuale ndaj sigurisë.
Gazetarja Alba Kepi tha se raporti i inteligjencës italiane, pra i politikave të sigurisë, përmbledh të gjithë raportet e bëra si nga departamenti antimafia italiane, po ashtu nga policia dhe të gjithë departamentet antidrogë për siguri dhe kundër terrorizmit.
Sipas saj, raporti merr një rëndësi të veçantë në kontekstin e situatës së re gjeopolitike dhe masave të reja të sigurisë që Italia ka ndërmarrë.
“Ky raport merr një rëndësi të veçantë në fokusin e asaj çka po ndodh aktualisht përsa i takon situatës së gjeopolitikës ndërkombëtare dhe planit të ri të sigurisë që Italia ka ndërmarrë”, tha gazetarja.
Një kapitull i veçantë i raportit i kushtohet rajonit të Ballkanit Perëndimor, ku përmendet edhe roli i krimit shqiptar në aktivitetet kriminale.
“Në kapitullin ku trajtohet Ballkani Perëndimor, një hapësirë të veçantë ka marrë dhe krimi shqiptar, mafia shqiptare. Edhe një herë tjetër theksohet se krimi shqiptar ka një rol mjaft dinamik në territorin italian, i shtrirë kudo dhe një kriminalitet mjaft i rrezikshëm që vë në rrezik edhe stabilitetin e rajonit. Dhe e veçanta është se përtej asaj çka shkruan në këtë raport, dinamizmi që ka kjo mafie dhe sidomos fuqisë së jashtëzakonshme që ka duke mbajtur pushtetin dhe menaxhimin e trafikut të kokainës, marihuanës, trafikut të armëve, është cilësuar dhe pikërisht fakti i politikës së riciklimit të parave në territorin e origjinës, pra në Shqipëri, por dhe në gjithë zonën e Ballkanit dhe përtej duke kaluar dhe në territorin europian”, deklaroi gazetarja për "Syri Tv".
Sipas raportit, organizatat kriminale shqiptare janë të përfshira në menaxhimin e trafikut të kokainës, marihuanës dhe armëve, ndërsa një nga elementët që theksohet është edhe fuqizimi i tyre përmes riciklimit të parave.
“Është cilësuar fakti i politikës së riciklimit të parave në territorin e origjinës, pra në Shqipëri, por edhe në të gjithë zonën e Ballkanit dhe përtej, duke kaluar edhe në territorin europian”, tha ajo.
Një tjetër element që evidentohet në raport është edhe rritja e mashtrimeve online dhe aktiviteteve kriminale në fushën e teknologjisë.
“Një tjetër risi e këtij raporti është fakti i investimeve apo mashtrimeve online, siç janë rastet e investimeve në kriptovaluta dhe aktivitetet e call center-ave të hapura në territorin shqiptar apo të menaxhuara nga shqiptarë”, u shpreh Kepi.
Lini një Përgjigje