Gazetarja Aida Topalli tregoi fjalët e fundit të gjyqtarit para se të futej në sallën e gjyqit, aty ku u qëllua me armë zjarri sapo dha vendimin për çështjen e familjes Shkambi.
Sipas saj, para se të fillonte seanca, gjyqtari i kishte thënë disa kolegëve që kishte takuar se kishte një gjyq me probleme.
Gazetarja tha se dhe në seancën e datës 24 shtator kishte pasur debate me tone të ashpra mes Gjon Shkambit dhe trupës gjykuese prej tre gjyqtarësh, të kryesuar nga i ndjeri Astrit Kalaja.
“Në seancën e datës 24, ka pasur tone të larta mes gjyqtarëve të çështjes, ku trupa gjykuese prej tre gjyqtarësh kryesohej nga Astrit Kalaja. Në atë seancë pati debate me tone të ashpra mes Gjon Shkambit dhe të ndjerit. Madje, edhe ditën e djeshme, përpara se të futej në sallën e gjyqit, Astrit Kalaja i kishte thënë kolegëve që kishte takuar se “sot kam një gjyq me probleme”, duke qenë në dijeni të historikut të çështjes dhe agresivitetit të palës, pasi ishte vetë nga Shkodra dhe e njihte mirë situatën. Ai e kishte shprehur këtë shqetësim në një farë mënyre, por nuk kishte kërkuar shërbime mbështetëse apo masa mbrojtëse. Nuk është normale që në Gjykatën e Apelit – gjykatën më të rëndësishme në vend – të mos ketë as nivelin më minimal të sigurisë, në mes të qytetit. Një gjykatë ku mund të hyjë dhe të dalë kushdo duhet të ketë një nivel shumë më të lartë sigurie,” tha gazetarja për "Euronews".
Kujtojmë se gjyqtari Astrit Kalaja u vra me armë zjarri të hënën, në sallën e gjyqit, nga Elvis Shkambi ndërsa u plagosën babë e bir, Rakip dhe Ervis Kurtaj, palë në çështje me familjen Shkambi.
Lini një Përgjigje