
Krerët e institucioneve shkëmbyen të dhëna mbi hapat konkretë të ndërmarrë për të parandaluar incidentet, presionet apo çdo tentativë për të ndikuar në mënyrë të paligjshme vullnetin e votuesve.
Teksa dita e zgjedhjeve po afron, fushata elektorale është nxehur dhe tensionet mes palëve janë rritur, madje shpesh është raportuar për kërcënime, presione dhe në disa raste dhe dhunë fizike.
Deri më tani janë raportuar disa raste të dhunës dhe tensioneve që kanë ngritur shqetësime për integritetin e procesit zgjedhor. Një incident ishte ai i Korçës, ku u raportua një përplasje mes mbështetësve të dy partive politike kryesore në vend, ku i përfshirë ishte edhe deputeti demokrat, Bledjon Nallbatit, i cili ka mohuar të kishte dhunë dhe se ngjarja u shfrytëzua për qëllime politike. Po ashtu, në Fier, kandidati i Partisë Demokratike, Fatjon Semanjaku, u shoqërua me forcë nga policia bashkiake, një veprim që u denoncua nga PD si shkelje brutale e ligjit dhe tentative për intimidim. Këto raste pasqyrojnë një klimë të tensionuar, ku akuzat për përdorim të forcës dhe manipulim politik janë të pranishme.
Përveç dhunës fizike, presioni dhe kërcënimet ndaj zgjedhësve dhe kandidatëve janë evidentuar si probleme të mëdha. Sipas një ankete të Qëndresa Qytetare, rreth 36% e qytetarëve raportuan se ishin nën presion për të mbështetur një parti ose kandidat, ndërsa 25% thanë se kishin ndryshuar votën ose abstenuan për shkak të këtyre presioneve. Kërcënimet përfshinin frikën e humbjes së vendit të punës (35%) dhe detyrimin për të marrë pjesë në aktivitete fushate (49%).
Ndodhur në këto kushte, një mbledhje e nivelit të lartë u mbajt sot në ambientet e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, ku morën pjesë Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, Prokurori i Përgjithshëm, Olsian Çela, Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), Altin Dumani, si dhe Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ilir Proda.
Fokusi i takimit ishte forcimi i bashkëpunimit mes institucioneve për të siguruar integritetin e procesit zgjedhor dhe për të përmirësuar mekanizmat që parandalojnë dhe ndëshkojnë shkeljet e ligjit zgjedhor.
Diskutimet u përqendruan te masat e përbashkëta që po ndërmerren për të garantuar një proces zgjedhor të rregullt, të sigurt dhe të besueshëm në të gjitha etapat e tij. Krerët e institucioneve shkëmbyen të dhëna mbi hapat konkretë organizativë dhe operativë të ndërmarrë për të parandaluar incidentet, presionet apo çdo tentativë për të ndikuar në mënyrë të paligjshme vullnetin e votuesve.
Një çështje me peshë të veçantë ishte trajtimi i shkeljeve të mundshme të Kodit Zgjedhor dhe ndjekja e tyre nga organet e drejtësisë. Gjatë takimit u paraqitën të dhëna mbi numrin e denoncimeve të regjistruara deri tani lidhur me veprime apo mosveprime që cenojnë rregullat zgjedhore. U vu theksi te nevoja për reagim të shpejtë nga prokuroritë dhe policia për të hetuar çdo shkelje që mund të dëmtojë besueshmërinë dhe rregullsinë e zgjedhjeve.
Po ashtu, u trajtua edhe procesi i votimit për qytetarët jashtë vendit, një element i ri dhe kompleks i këtyre zgjedhjeve. U diskutua mbi përgatitjet institucionale, organizimin logjistik, sigurinë e materialeve postare dhe sigurimin e të drejtës së votës për shqiptarët që jetojnë jashtë kufijve të Republikës së Shqipërisë.
Lini një Përgjigje