TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet24 Tetor 2025, 10:46

Kompania “FRUIT CO” iu serviri qytetarëve frutat që duhet të ishin groposur, askush nuk mban përgjegjësi

Shkruar nga Pamfleti

Kompania “FRUIT CO” iu serviri qytetarëve frutat që duhet

Dy ngarkesa me fruta që duhet të ishin groposur, u futën në Shqipëri dhe iu servirën qytetarëve.

Më konkretisht, gjatë muajit shtator janë konsumuar 7300 kg pjeshkë të importuara nga Greqia me pesticidin e rrezikshëm “Phosmet”, përdorimi i të cilit është rreptësisht i ndaluar në vendet e BE dhe Shqipëri.

Në të njëjtin muaj nga Greqia u importua edhe 882 kg rrush me prani mbi normë të mbetjes së pesticidit “Propamocarb”, me risk për shëndetin e njeriut.

“Ora News” i ka kërkuar informacion Autoritetit Kombëtar të Ushqimit (AKU) për subjektin importues të këtyre produkteve që kanë vënë në rrezik jetën e qytetarëve.

Ky institucion edhe pse e ka detyrim ligjor, nuk bën transparencë me median dhe publikun dhe refuzon në mënyrë të prerë të bëjë publik emrin e subjektit.

Bëhet me dije se subjekti që futi në Shqipëri pjeshkët dhe rrushin me pesticidet e rrezikshme është “FRUIT CO”, me administrator z. Bardhyl Muça.

Vendndodhja e subjektit është Tregu Agro-Ushqimor, autostrada Tiranë-Durrës, kilometri 1.

Për sqarimin e situatës dhe për transparencë ndaj qytetarëve, televizioni iu drejtua me një kërkesë për informacion subjektit “FRUIT CO”.

Administratori i këtij subjekti, Bardhyl Muça, ka refuzuar t’i përgjigjet pyetjeve se në cilat qytete e ka shpërndarë produktin, për më tepër nuk ka marrë asnjë përgjegjësi për faktin që se i ka servirur konsumatorit fruta që i kanë rrezikuar jetën.

Z. Muça ka vendosur të “kyçë gojën”, por më alarmant është fakti që edhe vetë AKU nuk e di se ku është shpërndarë rrushi që duhet të ishte asgjësuar.

Kjo faturë shitje tregon qartë se subjekti e ka shitur rrushin me pesticide në Vlorë, ndërsa Drejtoria Rajonale e AKU në Vlorë zyrtarisht shprehet se ky produkt nuk është shpërndarë në qytetin e Vlorës.

Dështimi i AKU për garantimin e sigurisë ushqimore po i faturohet shëndetit të konsumatorit.

Mjafton të kujtojmë faktin se prezenca e pesticidit “Phosmet” në pjeshkë shkakton rrahje të shpejta ose të parregullta të zemrës dhe ndryshime të tensionit të gjakut.

Njëkohësisht shoqërohet me problematika në sistemin e frymëmarrjes, sistemin nervor dhe atë tretës./Ora News

Lini një Përgjigje