TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet17 Qershor 2026, 14:48

Kreu i ILD: Finalizimi i vetingut nuk është fundi i reformës, por fillim i fazës më të rëndësishme të drejtësisë

Shkruar nga Pamfleti
Kreu i ILD: Finalizimi i vetingut nuk është fundi i reformës, por
Artur Metani

Inspektori i Lartë i Drejtësisë, Artur Metani, mori pjesë në konferencën kushtuar rezultateve të procesit të vettingut, ku vlerësoi ndikimin që ky mekanizëm ka pasur në reformimin e sistemit të drejtësisë në Shqipëri.

Gjatë fjalës së tij, Metani tha se procesi i rivlerësimit ka kontribuar ndjeshëm në rritjen e standardeve të integritetit dhe profesionalizmit në radhët e gjyqtarëve dhe prokurorëve. Ai vlerësoi punën e institucioneve të vettingut për identifikimin dhe largimin nga sistemi të personave që nuk përmbushnin kriteret e përcaktuara.

“Anëtarët e organeve të rivlerësimit kanë kryer një punë të jashtëzakonshme duke verifikuar dhe larguar nga sistemi pjesën e pashëndetshme të tij, mbi bazën e standardeve konkrete të vlerësimit të integritetit të gjyqtarëve dhe prokurorëve. Sot sistemi i drejtësisë, edhe për shkak të kësaj pune, është dukshëm më i mirë sesa i periudhës së vitit 2016“, tha ai.

Sipas Metanit, rezultatet e arritura deri më tani tregojnë se sistemi i drejtësisë është më cilësor dhe gëzon një nivel më të lartë besueshmërie krahasuar me periudhën para nisjes së reformës në drejtësi.

Megjithatë, ai theksoi se mbyllja e procesit të vettingut nuk duhet të konsiderohet si përfundim i reformës. Përkundrazi, sipas tij, sistemi po hyn në një etapë të re, ku institucionet e ngritura pas reformës duhet të marrin përsipër garantimin e standardeve të integritetit dhe përgjegjshmërisë.

“Tanimë, përfundimi i procesit të vetingut kërkon një vlerësim të kujdesshëm dhe reflektimin mbi të ardhmen, pasi shënon kalimin nga faza e funksionimit të mekanizmit të jashtëzakonshëm të vettingut drejt një etape më të re, ku përgjegjësia për garantimin e integritetit dhe profesionalizmit të magjistratëve u takon plotësisht institucioneve të reja të drejtësisë. Kjo është arsyeja përse përfundimi i këtij procesi nuk duhet parë si finalizim apo arritje e rezultateve të duhura dhe të suksesshme të rrugëtimit të reformës në drejtësi. Ky moment shënon fillimin e fazës më të rëndësishme të reformës në drejtësi, e cila ka të bëjë me institucionalizimin e standardeve të integritetit dhe përgjegjshmërisë”, tha Metani.

Ai nënvizoi se sfida e radhës për sistemin e drejtësisë është konsolidimi i mekanizmave që garantojnë në mënyrë të qëndrueshme integritetin, profesionalizmin dhe llogaridhënien e magjistratëve, edhe pas përfundimit të procesit të jashtëzakonshëm të rivlerësimit. 

artur metani ild vetingu

Lini një Përgjigje