
Një vatër e madhe zjarri shpërtheu rreth orës 12:50 të kësaj të mërkure në zonën përgjatë lumit Shkumbin, ku flakët përfshinë një masiv me shkurre, ferra dhe bimësi të egër.
Zjarri u përhap me shpejtësi në një sipërfaqe të gjerë, duke krijuar shtëllunga të dendura tymi që u panë edhe nga zona të largëta.
Si pasojë e djegies së bimësisë dhe mbetjeve të ndryshme në terren, në atmosferë u çliruan sasi të mëdha tymi, i cili mbuloi një pjesë të konsiderueshme të zonave përreth. Sipas banorëve, tymi është përhapur edhe në disa lagje të qytetit të Elbasanit, duke ngritur shqetësime për cilësinë e ajrit dhe ndikimin e mundshëm në shëndetin e qytetarëve, veçanërisht te fëmijët, të moshuarit dhe personat me probleme të frymëmarrjes.
Përveç tymit të dendur, në qytet është ndier edhe një erë e fortë dhe mbytëse, e cila sipas banorëve ka prekur një pjesë të madhe të territorit urban. Situata ka rikthyer në vëmendje problemet e vazhdueshme të ndotjes mjedisore në zonën e Elbasanit, e konsideruar prej vitesh si një nga pikat më problematike në vend për sa i përket ndikimit në mjedis.
Ngjarja vjen vetëm një ditë pas një tjetër episodi të rëndë ndotjeje. Pasditen e së martës, një zjarr i përmasave të mëdha përfshiu një biznes në territorin e ish-Kombinatit Metalurgjik, duke krijuar re të mëdha tymi që për orë të tëra ndotën ajrin në periferi të qytetit dhe shkaktuan shqetësim te banorët.
Dy incidente të tilla brenda më pak se 24 orësh kanë shtuar alarmimin e qytetarëve për gjendjen e mjedisit dhe nivelin e ndotjes atmosferike në Elbasan. Banorët kërkojnë reagim të shpejtë nga institucionet përgjegjëse për të zbardhur shkaqet e zjarreve, për të monitoruar cilësinë e ajrit dhe për të parandaluar përsëritjen e situatave të ngjashme.
Ndërkohë, autoritetet dhe forcat zjarrfikëse janë angazhuar për izolimin dhe shuarjen e flakëve, me synimin për të parandaluar përhapjen e mëtejshme të zjarrit dhe për të minimizuar dëmet në mjedis. Banorët e Bradasheshit dhe lagjes “Skënderbej” shpresojnë që situata të vihet sa më shpejt nën kontroll dhe cilësia e ajrit të rikthehet në normalitet.
Lini një Përgjigje