Eksperti i kriminalistikës Ervin Karamuço ka komentuar situatën në Meksikë pas raportimeve për vrasjen e El Menchos, duke e cilësuar atë si një nga figurat më të fuqishme të trafikut të fentanilit në botë.
Sipas Karamuços, personi i vrarë konsiderohej “mbreti i fentanilit”, i kërkuar prej 16-17 vitesh nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
“Ai që është vrarë ka qenë mbreti i fentanilit në botë. Mbreti i fentanilit. Kërkohej prej gati 16-17 vitesh nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ishte bërë një sfidë shumë e madhe. Në ndarjen që bëri nga Sinaloa, ky ishte mbreti i fentanilit, jo i dërgesave nga Kolumbia. Sot gjëja më fitimprurëse e Meksikës nuk janë më kanalet tradicionale të drogës që vinin nga vendet prodhuese të kokainës. Por fentanili që vjen nga Kina, sidomos nga krahu i Paqësorit, dhe që me sasi shumë të vogla gjeneron fitime të mëdha”, u shpreh ai në “Euronews Albania”.
Duke folur për realitetin në terren, Karamuço solli edhe përvojën e tij personale nga një vizitë në Meksikë, ku, sipas tij, situata e sigurisë ishte e tensionuar për shkak të përplasjeve mes ushtrisë dhe karteleve.
“Nga Mexico City në drejtim të Guadalajarës, sapo ishin hapur disa postoblloqe të karteleve në autostradë. Vendosnin makina të rastit, nxirrnin pasagjerët nga autobusët, hidhnin benzinë dhe i vinin flakën mjeteve në mes të rrugës për të bllokuar qarkullimin. Kjo ndodhte gjatë fushatave të ushtrisë për kontrolle dhe kapjen e personave në kërkim”, tregoi ai.
Eksperti theksoi se reagimi i karteleve vinte menjëherë sapo strukturat shtetërore lëviznin nga garnizonet e tyre. Ai përmendi praninë e forcave të shumta të sigurisë në rrugë, përfshirë policinë federale, atë lokale dhe marinsat meksikanë, të armatosur rëndë.
“Situata ka qenë shumë e rrezikshme. Shikonim pikape me mitralozë, ushtarë të marinës meksikane dhe forca të shumta policore të angazhuara”, tha Karamuço.
Megjithatë, ai nënvizoi se në zonat turistike, kartelet ndjekin një logjikë tjetër veprimi. Sipas tij, në qytete si Puerto Vallarta, turistët nuk preken.
“Në disa prej resorteve, që kontrollohen nga kartelet, turisti nuk preket. Madje policia këshillonte të hyje në resorte, sepse aty nuk vinte njeri. Në Puerto Vallarta dogjën benzinata, makina dhe disa shtëpi të policëve të identifikuar, por turistët nuk i prekën”, deklaroi ai.
Sipas Karamuços, zhvillimet e fundit pritet të ndikojnë në balancat e pushtetit mes karteleve, në një vend ku përplasjet për kontrollin e trafikut të drogave sintetike kanë zëvendësuar prej kohësh rrugët tradicionale të kokainës si burim kryesor fitimi.
Lini një Përgjigje