
Gjykata Kushtetuese vendosi pak ditë më parë rikthimin e Erion Veliajt në detyrën e Kryebashkiakut të Tiranës, ndërsa ai ishte shkarkuar nga ky pozicion me një proces të iniciuar dhe dirigjuar me kujdes nga Kryeministri Edi Rama, që e nisi në një mbledhje të Asamblesë Kombëtare të PS-së dhe e mbylli në mbledhjen e Qeverisë ku mori vendimin.
Vendimi i Kushtetueses duket se ka kapur të papërgatitur kreun e qeverisë që për ditë me rradhë u angazhua në takime të njëpasnjëshme me zyrtarë dhe deputetë të PS-së. Ndoshta i bindur që Kushtetuesja nuk do të nxirrte pengesa për planin e tij për mbajtjen e zgjedhjeve të pjesshme në Tiranë, kur u përball me vendimin, Rama nxitoi të ndryshonte strategjinë, duke i kërkuar të njëjtës gjykatë që të gjykonte me të njëjtin standard edhe lirimin e Kryebashkiakut, i cili prej 10 shkurtit ndodhet me masën e sigurisë ‘arrest me burg’ me kërkesë të SPAK.
Pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese për rikthimin e ish-kryebashkiakut Erion Veliaj në detyrë, kanë reaguar avokatët e tij, konkretisht përfaqësuesit nga zyra ligjore “Kasowitz LLP”, me seli në Nju Jork, dhe “Mishcon de Reya LLP”, me seli në Londër, që përfaqësojnë kryetarin Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj.
Në reagim thuhet se ky vendim përbën një përparim të madh pas një beteje nëntëmujore ligjore dhe politike si dhe ‘riafirmon parimin themelor kushtetues se mandati i një zyrtari të zgjedhur nuk mund të ndërpritet pa respektuar procesin e rregullt ligjor’.
Deklarata e plotë
Të hënën, më 3 nëntor 2025, Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë rrëzoi vendimin e Këshillit Bashkiak të Tiranës për shkarkimin e Erion Veliajt dhe e rivendosi zyrtarisht atë në detyrën e Kryetarit të Bashkisë, duke ndaluar zgjedhjet e planifikuara dhe duke shënuar një moment kyç për qeverisjen demokratike në Shqipëri.
Ky vendim përbën një përparim të madh pas një beteje nëntëmujore ligjore dhe politike, e cila ka nisur me ndalimin e Veliajt dhe më pas, me shkarkimin e tij nga detyra. Gjykata vendosi se Këshilli Bashkiak kishte vepruar në kundërshtim me Kushtetutën, kur kishte përdorur si arsye për shkarkimin e tij ndalimin e pavullnetshëm të Veliajt. Vendimi i Gjykatës riafirmon parimin themelor kushtetues se mandati i një zyrtari të zgjedhur nuk mund të ndërpritet pa respektuar procesin e rregullt ligjor.
Duke u paraqitur publikisht për herë të parë që pas arrestimit, Veliaj mbajti një fjalim emocional prej nëntë minutash përpara Gjykatës. “Kam pritur nëntë muaj për të folur për nëntë minuta”, e nisi ai, përpara se të theksonte natyrën pretekstuale të përpjekjes së shtetit për ta larguar nga detyra:
“Mund ta fusni një person në burg, por jo të vërtetën e tij. Dhe e vërteta është se mungesa ime nuk ka qenë një zgjedhje, por pasojë e një izolimi të imponuar nga shteti, përmes një vendimi joproporcional… i cili më ka privuar jo vetëm nga liria, por edhe nga qyteti im, përpara se të provohej çdo fajësi… A duam vallë të legjitimojmë idenë se çdo zyrtar i zgjedhur mund të hiqet nga detyra përmes një arrestimi të përkohshëm, pa një vendim fajësie, duke ia marrë njerëzve mandatin që ata vetë e kanë dhënë me votë të lirë?”
Veliaj dënoi gjithashtu procesin që i hoqi mandatin, duke vënë në dukje se “dy padrejtësi nuk prodhojnë drejtësi”. Ai u bëri thirrje anëtarëve të Gjykatës që “të mbrojmë bashkë demokracinë që po vihet në provë”.
Daniel Fetterman, nga Kasowitz LLP, këshilltar ndërkombëtar i Kryebashkiakut Veliaj, deklaroi: “Ky është një triumf i jashtëzakonshëm për Erionin. Por jo vetëm për të. Është një fitore për të gjithë qytetarët e Tiranës dhe një fitore për shtetin e së drejtës dhe demokracinë në mbarë botën.”
Vëzhguesit e shohin vendimin e Gjykatës Kushtetuese si një gur kilometrik përcaktues në përpjekjet e Shqipërisë për të forcuar angazhimin e saj ndaj shtetit të së drejtës, si dhe në betejën e Kryebashkiakut Veliaj për të vijuar t’u shërbejë qytetarëve të Tiranës dhe për ta shndërruar atë në një qytet të nivelit botëror dhe në një destinacion mikpritës evropian.
Lini një Përgjigje