TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet 8 Nëntor 2025, 11:57

Më në fund Rama kujtohet për pacientët e Onkologjikut: 15 mln euro shtesë për barnat e shtrenjta kundër kancerit

Shkruar nga Pamfleti

Më në fund Rama kujtohet për pacientët e Onkologjikut: 15

Kryeministri Edi Rama më në fund është kujtuar edhe për pacientët e Onkologjikut. Denoncimeve të pafundme lidhur me mungesën e barnave apo kushteve se si trajtohen pacientët që vuajnë nga sëmundje tumorale, Edi Rama i është përgjigjur sot me një video të postuar në rrjetet sociale ku rendit disa premtime.

Dhe më i rëndësishmi për të gjithë pacientët të Onkologjikut është ai mbi ilaçet e shtrenjta, që konsiderohen jetike për ata që luftojnë me tumoret.

Rama premton se për herë të parë do të hapet një linjë financimi vetëm për këtë nevojë jetike, ilaçet e shtrenjta, duke futur 15 milionë euro ekstra për pacientët e onkologjikut.

“Mu duk e udhës të ndaj me ju projektbuxhetin 2026 me mbi 1 mld euro për shëndetësinë dhe mirëqenin sociale, afro 4% e Prodhimit të Përgjithshëm Kombëtar.  Po ndalem te lufta me kancerin dhe nevoja për barnat e shtrenjta që kërkon kjo luftë. Për herë të parë hapim linjë financimi vetëm për këtë nevojë jetike, duke futur 15 mln euro ekstra në shërbim të pacientëve të Onkologjikut.

Për herë të parë, shërbimi i rikonstruksionit të gjirit për gratë dhe vajzat që kalojnë kancerin do jepet i plotë për të gjitha dhe falas, ndërkohë që ministrja e Shëndetësisë e shpallur së fundmi ndër 100 gratë më influnete në mjekësinë botërore për çështjen e kancerit, do udhëheqë projektin kombëtar të ngritjes së institut kombëtar të tumoreve për Shqipërinë 2030, që do i bashkohet rrjet ndërkombëtar të instituteve që luftojnë me kancerin”, tha Rama.

Rama bëri një premtim edhe për punonjësit e sistemit shëndetësor. Kështu 4600 mjekë, infermierë dhe farmacistë si dhe 14.200 teknikë dhe laborantë do të përfitojnë një rritje të re pagash.

“Ky është edhe një mesazh i qartë për gjeneratën e re të bluzave të bardha, se në Shqipëri qëndrohet dhe punohet me dinjitet dhe se Shqipëria 2030 do të bëhet vendi ku ikja do të jetë thjesht zgjedhje individuale, jo imponim nga pamundësia për të qëndruar dhe punuar këtu.

Me spitalin e ri të Korçës, urgjencën e Durrësit, spitalet bashkiake e të Matit e Tropojës dhe të tjera me radhë akoma, që do të vazhdojnë intensivisht edhe investimet në modernizimin e infrastrukturës spitalore. Me objektivin e qartë dhe të shpallur që në Shqipëri në 2030, asnjë strukturë e shërbimit shëndetësor të mos jetë jashtë standardeve të Bashkimit Europian”, tha Rama.

Përmes video-mesazhit, Kryeministri premtoi se vitin e ardhshëm (2026) inteligjenca artificiale do të futet në shërbimin shëndetësor shqiptar, përmes një kompanie të përbashkët që shteti shqiptar po krijon me një prej ekselencave të inteligjencës artificiale në shëndetësinë europiane.

Rama tha se me financimet e siguruara nga fondet evropiane, ne do të krijojmë ekosistemin digjital të gatshëm për inteligjencën artificiale duke hapur shtigjet e reja të diagnostikimit me imazhe, të analizave parashikuese dhe të ndërveprueshmërisë në rang kombëtar të sistemit shëndetësor digjital, në përputhje me agjendën digjitale të Bashkimit Europian.

“2026 do të hapë edhe siparin e partneritetit strategjik të QSU-së me spitalin prestigjioz San Raffaele të Milanos, një ndër më të mirët në botë duke nisur procesin e një transformimi që do ta bëjë QSU-në 2030, një qendër rajonale të shëndetit me prestigj në të gjithë Ballkanin perëndimor", tha Rama.

Lini një Përgjigje