
Disa ditë më parë në qytetin e Vlorë policia zbuloi një rast abuzimi të një 26-vjeçareje, e cila ishte droguar nga 3 persona dhe më pas ata kishin kryer marrëdhënie me forcë me të. Pas përdhunimit të 26-vjeçares, personat janë larguar duke e lënë vajzën pa ndjenja jashtë një hoteli në Vlorë.
Lidhur me këtë ngjarja gazetarja e Fax News, Afrovita Hysaj, referuar edhe burimeve zbuloi se kishin qenë 4 persona dhe jo 3 që kishin marrë pjesë në këtë ngjarje tronditëse.
Njëri prej tyre ishte i biri i një pronari televizioni në qytetin e Vlorës. Pas denoncimit të gazetares, babai i një prej të dyshuarve për përdhunim dhe njëherësh pronari i televizionit ka kërcënuar gazetaren Afrovita Hysaj.
“Je në gjak me mua”- e ka kërcënuar personi në fjalë gazetaren Hysaj.
Ndërkohë dhe website i këtij televizioni ka përdorur një gjuhë fyese ndaj gazetares me etiketime denigruese. Ndaj kësaj ka reaguar edhe Unioni i Gazetarëve shqiptarë duke e konsideruar një akt të rëndë.
Deklaratë e Unionit të Gazetarëve Shqiptarë
Unioni i Gazetarëve Shqiptarë është tronditur nga publikimi i një raporti faqen e kanalit 6+1 Vlora me titull: " ..." Afrovita Hysaj mashtron qytetarët e Vlorës", i publikuar në datën 24 Tetor 2023, nga media vendore në onlinin e kësaj medieje.
Ky raport, përmes gjuhës dhe fjalorit që përmban, cënon rëndë kodet e etikës së gazetarisë, linçon publikisht një punonjëse të medias, përdhos komunikimin publik dhe detyrimin ndaj tij dhe shënon një precedent të rrallë në sulmin e një medieje ndaj një gazetareje vendore.
Rasti në fjalë ka tronditur gjithë opinionin profesional dhe ka hapur diskutime të shumta mes entitetit tonë.
Unioni i Gazetarëve Shqiptarë e konsideron këtë një akt të rëndë.
Për këtë arsye, kërkojmë me urgjencë që editori i kësaj medieje, administratori i tij, në mënyrë urgjente të tërheqë nga publikimi dhe faqet zyrtare të medias, këtë raport.
Në përputhje me kodet e etikës dhe rregullat e gazetarisë, të reflektojë menjëherë, pasi ky material në tekstin e vet përmban edhe vlerë antiligjore. Kërkesa jonë bazohet në respekt dhe mishërim të parimeve dhe normave të një gazetarie, si mision publik, në shërbim të publikut dhe jo si një "mjet privat që mund të presë dhe lëndojë qytetarë, e aq më tepër, persona të medias.
Ky rast meriton ndërhyrjen e menjëhershme të organizatave që merren me mbrojtjen e etikës, parimeve dhe normave të komunikimit publik dhe aq më tepër të raportimit me standart.
Në mënyrën më urgjente i kërkojmë kësaj medieje të reagojë dhe të kërkojë ndjesë publike për rastin që shkaktoi.
Lini një Përgjigje