
Një grup protestuesish janë mbledhur këtë të diel në parkun pas Teatrit të Operas dhe Baletit, për të kundërshtuar prishjen e tij.
Me sloganin “Larg duart nga parku”, Lëvizja Bashkë ka organizuar këtë protestë në mbrojtje të hapsirës së vetme të gjelbër të mbetur në qendër të Tiranës.
“Tiranës po i zhduket një nga parqet e fundit, ai që shtrihet midis pallateve 9-Katëshe dhe Teatrit të Operas dhe Baletit. Dhuna e Betonit nuk ka të ndaluar. Pushtetarë të korruptuar dhe oligarkë të paligjshëm po na lenë pa një prej hapësirave të fundit publike e të gjelbra që i kanë mbetur qytetit”, shkruhet në pankartat e protestuesve.
Kullat po i marrin frymën Tiranës, u shpreh në fjalën e tij drejtuesi i “Lëvizjes Bashkë” Arlind Qori, i cili shtoi se apartamentet në këto kulla blihen vetëm nga kriminelët dhe politikanët e korruptuar.
“Këto kulla jo vetëm po e shkatërrojnë, jo vetëm po na e marrin frymën, por nuk do të kenë as një minumin funskioni ekonomik. Shikoni si kullat janë në errësirë, por të gjitha rezultojnë të shitura. Kush i blen, blejnë trafikantët e drogës, politikanët e korruptuar, çdokush që ka qeverisur dhe vjedhur këtë vend në 32 vjet”, u shpreh Qori.
Ndërkohë më pas, qytetarë të ndryshëm të mbledhur në protestë, kanë marrë fjalën me radhë dhe kanë shprehur pakënaqësitë e tyre lidhur me betonizimin e kryeqytetit.
“Këta ulërasin do të bëjmë Dubai, por Dubai ngrihet mbi asgjë. Hiqni dorë, mos ju bindni një njeriu pa dinjitet. Çdo pallat që ngrihet në Tiranë është një vrasje”, u shpreh një protestues.
Pedagogu Ervin Goci pjesë e kësaj proteste u shpreh se ky sistem nuk do të ndalojë deri sa të ndërtojë në çdo cep të vendit.
“Kjo kauzë dhe shumë kauza të tjera, ndërtimi në Tiranë nuk ka asnjë dallim nga inceneratori. Skema e inceneratorëve ndoshta është më e shpejtë, por skema të tilla janë grabitje. Toka këtu është pasuri publike, siç mbrohen taksat duhet mbrojtur edhe prona”, tha ai.
Kujtojmë se lulishtja pas Pallatit të Operas dhe Baletit në qendër të Tiranës do të shkatërrohet. Në këtë hapësirë të gjelbër do të ndërtohet një kullë prej 185 metrash, duke shënuar kështu edhe një rekord për ndërtesën më të lartë të Tiranës dhe njëkohësisht duke zhdukur dhe hapësirën e fundit të gjelbër në qendër të kryeqytetit./Pamfleti
Lini një Përgjigje