Një ditë para seancës plenare ku është planifikuar në rend dite, ratifikimi i marrëveshjes mes Shqipërisë dhe Italisë për refugjatet, qytetar dhe aktivist të shoqërisë civile në Lezhë i dërguan peticion Kuvendit.
Ky peticion është firmosur nga 700 qytetarë, të cilët kërkojnë nga ligjvënësit të mos votojnë marrëveshjen. Ata thonë se ngritja e kampeve të refugjateve do të sjellë pasoja në jetën social ekonomike dhe sigurinë publike në Lezhë.
Sipas tyre, refugjatët do të cenojnë sigurinë publike në qytet. Kësaj kërkese drejtuar Kuvendit iu bashkuan Kryetarja e Partisë Demokratike në Lezhë Alfrida Marku dhe ish-Prefekti socialist Gjok Jaku.
Marrëveshja mes Shqipërisë dhe Italisë, e kthen Lezhën në qendër pritëse për refugjatet nga vendet e treta, të cilët do të hynë përmes portit të Shëngjinit dhe do të akomodohen në aerodromin e Gjadrit.
Marrëveshja për emigrantët, është miratuar nga Parlamenti italian me votat e shumicës, ndërsa në Kuvendin e Shqipërisë do të votohet në seancën e 14 dhjetorit. Socialistët vendosën të afrojnë ratifikimin në parlament të marrëveshjes nga 22 dhjetori, kur ishte parashikuar fillimisht të votohej, për këtë të enjte. Vendimi u mor në mbledhjen e grupit të PS, ku i pranishëm ishte edhe kryesocialisti Edi Rama. Ky i fundit kërkoi që të gjithë deputetët e PS të jenë të pranishëm në seancë. Vetëm me votën e socialistëve, marrëveshja me Italinë u miratua edhe në komisione parlamentare.
Marrëveshja me Italinë me emigrantët që pritet të marrë të enjten dritën jeshile nga parlamenti, u dërgua javën e shkuar në Gjykatë Kushtetuese nga 2 palët e opozitës, PD zyrtare dhe një tjetër nga 30 deputetë të Bardhit e Berishës me pretendimin se shkel Kushtetutën dhe se është bërë në mungesë transparence.
Lini një Përgjigje