
Prokuroria e Elbasanit ja faturon Policisë Gjyqësore arrestimin e avokatit...
Avokati Uljan Barjami është liruar nga qelia. Pas arrestimit skandaloz që ju bë dy ditë më parë menjëherë pas procesit gjyqësor, sot Prokuroria e Elbasanit ka bërë një hap pas, duke i dhënë shuplakë edhe policisë, e cila e arrestoi. Sot duhej të jepej masa e sigurisë për avokatin dhe prokurorja Ajkuna Anxhaku ka urdhëruar lirimin e tij të menjëhershëm, duke e cilësuar arrestimin si të paligjshëm.
Bajrami u arrestua pas përplasjes me prokurorin Gjergji Ceka në seancën për konfirmimin e masave të sigurisë për 14 personat e arrestuar më 13 tetor në një lokal në Elbasan, mes të cilëve edhe Maksim Suçi, që mbrohej nga avokati Barjami. Prokurori bëri padi penale ndaj tij dhe më pas u urdhërua arrestimi.
Sipas raportimeve, avokati është arrestuar nga Oficerët e Policisë Gjyqësore, por sot që materialet për arrestimin e avokatit kanë mbërritur në Prokurorinë e Elbasanit për vlerësim, organi i akuzës ka konstatuar se arrestimi është i paligjshëm. Ai nuk është paraqitur në gjykatë për masë sigurie pasi lirimi është bërë menjëherë me urdhër të Prokurorisë.
Më datë 17.10.2025, në Gjykatën e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, u zhvillua seanca për caktimin e masës së sigurimit për shtetasin Maksim Suçi, ku akuza përfaqësohej nga prokurori Gjergji Ceka, dhe mbrojtjen e klientit e kishte avokati Ulian Barjami.
Gjatë seancës, avokati Barjami konstatoi prova video që dëshmonin qartë se klienti i tij nuk kishte ushtruar dhunë ndaj punonjësve të policisë, duke shkelur kështu pretendimet e procesverbalit të dorëzuar nga prokurori. Ai deklaroi publikisht se do të bënte kallëzim për falsifikim provash ndaj prokurorit, duke treguar përgjegjësinë e këtij të fundit për shpikjen e një situate të rreme.
Prokurori Ceka, i irrituar nga kjo deklaratë, reagoi në mënyrë të papranueshme duke kërcënuar hapur avokatin Barjami me fjalët: “Ti duhet të arrestohesh, do të arrestohesh”, duke kthyer më tej kokën me nervozizëm nga punonjësit e policisë prezente në sallë. Avokati Barjami i riktheu replika profesionale duke theksuar se do të depozitonin kallëzim penal për shkelje të ligjit nga ana e prokurorit.
Në këtë moment, gjyqtarja Megi Strakosha ndërhyri duke i sqaruar avokatit Barjami se duhet të shmangte këtë diskutim dhe të përqendrohej në interpretimin e provës aktuale, pa u marrë me veprimet që do të kryheshin më vonë. Seanca vijoi e qetë dhe përfundoi pa asnjë debat të mëtejshëm.
Megjithatë, prokurori Ceka nuk e la kaq. Ai, me qëllim të hapur për të penguar veprimtarinë e mbrojtjes ligjore dhe për të justifikuar një ndalim arbitrar, ka paraqitur kallëzim penal ndaj avokatit Barjami. Në përputhje me këtë kallëzim, më datë 18.10.2025, avokati Barjami u thirr nga oficere të Policisë Gjyqësore në Drejtorinë Vendore të Policisë Elbasan për “disa sqarime”.
Pas shumë orësh pritjeje, në orët e pasdites, punonjësja e policisë Zmeralda Mehilli ndaloi avokatin Barjami si të dyshuar për veprat penale: “Kanosja për shkak të detyrës”, “Kundërshtimi dhe goditja e gjyqtarit” dhe “Kanosja e gjyqtarit”, duke argumentuar se avokati kishte kërcënuar prokurorin dhe oficerët e policisë gjyqësore.
Mban ndonje pergjegjesi prokurori per kete. Apo ca ndodhi se ndenji 48 ore ne qeli. Vazhdojne eksperimentet pa mbajtur pergjegjesi asnjeri. Ketu njeriu nuk ka asnje vlere. Policia e prokuroria jane banda e vertete ne kete vend.