Gazetari Lutfi Dervishi vlerëson se protesta qytetare, e cila ka hyrë në ditën e saj të 47-të, ka tronditur sistemin politik shqiptar dhe u ka dhënë një mundësi forcave politike të reflektojnë dhe të ndryshojnë.
I ftuar në emisionin "Off the Record" me Andrea Dangllin në A2 CNN, Dervishi e cilësoi këtë lëvizje si një nga zhvillimet më pozitive në historinë e vendit, duke theksuar se ajo ka përmirësuar edhe imazhin e Shqipërisë në arenën ndërkombëtare.
"Protesta ka ngelur për vjeshtë sistemin dhe klasën politike, në kuptimin që u ka dhënë një shans për të ndryshuar. Protesta është një nga gjërat më të mira që i ka ndodhur Shqipërisë këto 100 vitet e fundit. Në kuptimin që përmirësoi edhe imazhin e vendit. Nga aq sa kam ndjekur mediat ndërkombëtare, opinioni publik në vende shumë demokratike ka marrë Tiranën si shembull, aq shumë saqë një vëzhgues shprehej se përveç kritereve të Kopenhagenit që i duhen vendit për të shkuar në BE, duhen futur edhe kriteret e Tiranës", u shpreh ai.
Sipas gazetarit, jehona e protestës ka shkuar përtej kufijve të Shqipërisë, duke u kthyer në objekt diskutimi edhe në qarqe të rëndësishme politike ndërkombëtare.
"Të arrijë situata që në Senatin amerikan senatorët të thonë të marrim shembull nga Tirana, pra i ka sjellë një gjë të mirë Shqipërisë dhe u ka dhënë një shans aktorëve për t’u përmirësuar. Edhe fakti që nuk kanë dalë me lëvizje politike, gjë që sistemi e dëshiron, tregon pikërisht këtë gjë; duan që të ndryshojnë", deklaroi Dervishi.
Sipas tij, fakti që protesta ka ruajtur karakterin e saj qytetar dhe nuk është shndërruar në një lëvizje partiake përbën një nga elementët që e dallon atë dhe i jep peshë mesazhit që ajo synon të përcjellë.
Lini një Përgjigje