
Kryeministri Edi Rama prezantoi paketën me masat ligjore për mbrojtjen e pronës dhe territorit. Rama tha se për paketën e re ligjore është punuar me shumë intensitet nga një grup i gjerë ekspertësh, juristësh dhe me ndihmën e disa deputetëve që kanë pasur një aktivitet të lidhur me komisionin e ligjeve.
Rama paralajmëroi se shembja e ndërtimeve pa leje mund të vazhdojë deri në fund të mandatit të ri qeverisës. Gjithashtu Kryeministri paralajmëroi mbrojtjen e autorësisë së projekteve arkitektonike, të cilat janë deformuar dhe përdhunuar në formën e tyre nga ndërhyrja e ndërtuesve.
“Dua t’i falënderoj të gjithë ata që kanë marrë pjesë në këtë punë që është zhvilluar gradualisht gjatë gjithë periudhës së verës dhe besoj shumë që duke bërë parantezën që padiskutim nuk është asgjë e përkryer, as kjo paketë nuk është e përkryer, por është një tërësi masash që do të na japin mundësinë të kemi në dorë instrumenta të reja për të mbrojtur territorin, duke filluar nga suksesi përfundimtar i një ofensivë që po do të zgjasë aq sa të jetë e nevojshme, ndoshta gjatë gjithë mandatit të ri, për ndalimin pa kthim të çdo shfrytëzimi për të ndërtuar pa leje, duke vazhduar deri te mbrojtja e autorësisë së projekteve arkitektonike, të cilat gjatë gjithë kësaj kohe që kur në Shqipëri ka filluar të ndërtohet, janë deformuar dhe përdhunuar në formën e tyre nga ndërhyrja e ndërtuesve, gjë që sigurisht i kthen në praktikisht pothuajse formale vendimmarrjet që marrin njësitë përkatëse të qeverisjes vendore.
Dhe një tjetër pasojë e konsiderueshme mashtrimi që iu bëhet blerësve duke iu shitur objekte që ka marrë leje me pamjet e lejes të paraqitura", tha Rama.
Lini një Përgjigje