Është mbyllur edhe dita e 39 e protestës qytetare kundër qeverisë, e cila edhe këtë mbrëmje u shoqërua me marshim në rrugët e Tiranës dhe me thirrje kundër mazhorancës, por edhe opozitës.
Pas fjalimeve të mbajtura para Kryeministrisë, protestuesit nisën marshimin drejt Kuvendit të Shqipërisë, ku përsëritën akuzat ndaj mazhorancës për korrupsion dhe kapje të institucioneve.
Më pas turma u drejtua drejt selisë së Partisë Demokratike. Para godinës blu, protestuesit brohoritën njëzëri "Opozitë e shitur", duke akuzuar drejtuesit e opozitës se kanë tradhtuar pritshmëritë e qytetarëve dhe nuk po ushtrojnë rolin e tyre përballë qeverisë.
Që prej nisjes së protestës, organizatorët kanë deklaruar se lëvizja e tyre nuk është kundër vetëm qeverisë së Edi Ramës, por edhe kundër asaj që e konsiderojnë një klasë politike të konsumuar, duke kërkuar largimin si të Edi Ramës ashtu edhe të Sali Berishës.
Pas ndalesës para selisë së Partisë Demokratike, protestuesit u rikthyen sërish para Kryeministrisë, aty ku mbyllën protestën e ditës së 39 me thirrjet "Rama jep dorëheqjen", "Rama në burg, Berisha në burg" dhe "Shqipëri e Re".
Organizatorët kanë paralajmëruar se protestat do të vijojnë edhe në ditët në vijim, duke këmbëngulur se revolta qytetare do të vazhdojë deri në arritjen e objektivave të saj.
Lini një Përgjigje