TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet 8 Korrik 2026, 12:08

A vazhdojnë sërish eskortat nëpër burgje dhe çfarë masash ka marrë Ministria e Drejtësisë?

Shkruar nga Pamfleti

Hyrja e personave të paautorizuar në burgje nuk mund të realizohet pa dështimin e mekanizmave të kontrollit ose pa tolerimin e personave përgjegjës për administrimin e këtyre institucioneve.Megjithatë, deri më sot nuk është bërë e ditur publikisht nëse Ministria e Drejtësisë ka ndërmarrë ndryshime në procedurat e verifikimit të vizitorëve, ka forcuar kontrollet në burgje apo ka marrë masa disiplinore ndaj zyrtarëve që mund të kenë lejuar këto shkelje.

A vazhdojnë sërish eskortat nëpër burgje dhe
Dyshimet janë se, në shumë raste, hyrjet janë justifikuar përmes dokumentacionit të paraqitur si i rregullt.

Skandali i hyrjes së vajzave për takime speciale me të dënuar në burgjet shqiptare vijon të ngrejë pikëpyetje të forta mbi sigurinë e institucioneve të vuajtjes së dënimit. Edhe pse për disa raste janë hapur hetime penale dhe janë referuar materiale në prokurori, ende nuk ka një bilanc të qartë nga Ministria e Drejtësisë mbi masat që janë marrë për të parandaluar përsëritjen e këtij fenomeni.

Sipas informacioneve të bëra publike, fenomeni mori përmasa më të mëdha gjatë periudhës para dhe pas zgjedhjeve parlamentare të 11 majit 2025, kur vajza shqiptare të showbiz-it, por edhe shtetase të huaja, dyshohet se kanë mundur të hyjnë në burgje për takime speciale me të dënuar me rrezikshmëri të lartë, duke anashkaluar procedurat e sigurisë.

Për këto raste janë regjistruar procedime penale në prokuroritë e Durrësit, Fierit, Korçës, Elbasanit, Shkodrës dhe Tiranës. Hetimet kanë nisur pas dyshimeve se në disa institucione janë lejuar hyrje të paautorizuara, ndërsa organet e akuzës po verifikojnë përgjegjësitë e personave që kanë administruar këto procedura.

Nga të dhënat e bëra publike rezulton se nën hetim janë marrë gjithsej 17 procedura hyrje-dalje në burgje. Për zbardhjen e rrethanave janë marrë në pyetje juristë të burgjeve, drejtues të Policisë së Burgjeve dhe punonjës të tjerë, të cilët kanë dhënë shpjegime mbi mënyrën se si persona të ndryshëm kanë arritur të futen në ambientet e brendshme të burgjeve.

Dyshimet janë se, në shumë raste, hyrjet janë justifikuar përmes dokumentacionit të paraqitur si i rregullt. Janë përdorur deklarata noteriale bashkëjetese me të dënuarit, autorizime si avokate të zgjedhura prej tyre, por edhe dokumente që i identifikonin vizitoret si psikologe, sociologe apo me funksione të tjera, duke kaluar filtrat e kontrollit.

Vetë Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve ka referuar materiale pranë prokurorive përkatëse, pas konstatimit të disa rasteve të dyshuara, ndërsa hetimet vijojnë për të përcaktuar nëse ka pasur shkelje të procedurave, falsifikim dokumentesh apo përfshirje të punonjësve të sistemit penitenciar.

Debati është rihapur edhe pas denoncimeve të fundit për një rast të hyrjes së një vajze në Burgun e Peqinit për një takim special me një të dënuar, çështje që ka shtuar dyshimet se fenomeni mund të mos ketë qenë i izoluar.

Ndërkohë, ekspertë të sigurisë kanë theksuar se hyrja e personave të paautorizuar në burgje nuk mund të realizohet pa dështimin e mekanizmave të kontrollit ose pa tolerimin e personave përgjegjës për administrimin e këtyre institucioneve.

Megjithatë, deri më sot nuk është bërë e ditur publikisht nëse Ministria e Drejtësisë ka ndërmarrë ndryshime në procedurat e verifikimit të vizitorëve, ka forcuar kontrollet në burgje apo ka marrë masa disiplinore ndaj zyrtarëve që mund të kenë lejuar këto shkelje.

Ndërsa hetimet vijojnë në disa prokurori të vendit, mbetet ende pa përgjigje pyetja që intereson opinionin publik; çfarë është bërë konkretisht nga Ministria e Drejtësisë për të mbyllur këtë skemë dhe a vazhdojnë ende hyrjet e paligjshme për takime speciale në burgjet shqiptare?

 

eskortat nëpër burgje ministria e drejtësisë

Lini një Përgjigje