TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet 5 Nëntor 2025, 19:58

Mjekët ngrenë alarmin: Prindërit marrin receta nga ChatGPT për fëmijët e sëmurë

Shkruar nga Pamfleti

Mjekët ngrenë alarmin: Prindërit marrin receta nga ChatGPT

Shqiptarët po e keqpërdorin chatGPT. Shumë prej tyre i drejtohen për të marrë këshilla mjekësorë në rastet kur nuk ndihen mirë, por ka edhe raste ekstreme kur prindërit marrin receta mjekësorë për fëmijët e sëmurë, veçanërisht në rastet e virozave.

Mjekët pediatër kanë ngritur alarmin duke thënë se gjithmonë e më shumë po vizitojnë fëmijë me gjendje të rënduar pasi prindërit i kanë trajtuar me doktor chat-in.

Mjeku i familjes, Dritan Hoxha shprehet se rastet më të shumta janë nënat e reja. Ai thekson se mjekimi nga ChatGPT-në është i rrezikshëm.

“Kemi pasur shumë raste sidomos tek nënat e reja për trajtimin e fëmijëve të tyre që i drejtohen ChatGPT dhe ai ju jep një recetë të gatshme. Pasi kanë përdorur këtë mjekim drejtohen tek ne, në gjendje fëmija të rënduar, me komplikacione dhe nëna e pranon se ka përdorur mjekime nga ChatGPT. Kjo është diçka shumë e rrezikshme për jetën dhe shëndetin e fëmijëve”, tha ai për “Euronews Albania”.

Mjekët apelojnë që në të gjitha situata shëndetësore, duhet marrë konsultim me specialistin përkatës.

“Problemi i sëmundshmërisë nuk është thjeshtë që ti i vendos të dhënat ChatGPT dhe ai të jep recetën. Është mjeku që kryen një ekzaminim të pacientit, dëgjon mushkritë, gjë të cilat ChatGPT nuk mund t’i bëjë”, theksoi Hoxha.

Shumë mjekë kanë ngritur shqetësimin për kura të gabuara të marra nga vetë pacientët edhe në moshë të rritur pasi kanë pyetur ChatGTP.

Lini një Përgjigje