Aktualitet20 Janar 2024, 15:41

Moti i keq izolon vendin/ Rrëshqitje gurësh në Berat, në Mat dhe Bulqizë trashësia e dëborës arrin në 45 cm

Shkruar nga Pamfleti

Moti i keq izolon vendin/ Rrëshqitje gurësh në Berat, në Mat

Është rënduar situata në vend nga moti i keq.

Reshjet e dendura të shoqëruar me erë të fortë dhe temperatura të ulëta kanë bllokuar rrugët rurale të njësive të bashkisë Bulqizë, Mat dhe Klos duke lënë të izoluar shumë fshatra pasi trashësia e dëborës ka shkuar nga 35 deri në 45 centimetra.

Reshjet e shoqëruara me ngrica në rrugë kanë vështirësuar qarkullimin në rrugët nacionale, si dhe në rrugët brenda qytetit të Bulqizës, por jo vetëm, stuhitë e forta të dëborës kanë detyruar të mbyllen edhe bizneset.

Ndërkohë mësohet se në shumë fshatra të njësive administrative Bulqizë mungon energjia për shkak të dëmtimit të linjave të tensionit të lartë dhe ato të ulët.

Ndërsa vështirësi janë shkaktuar edhe në aksin nacional Berat-Poliçan-Skrapar, për shkak të reshjeve të dendura të shiut.

Në fshatrat Vodicë dhe Fushë-Peshtan po vijon rrëshqitja e gurëve në rrugë, duke vështirësuar qarkullimin e mjeteve në këtë aks. Situata vijon të jetë e njëjtë që prej mëngjesit të sotëm dhe për këtë arsye bashkia e Poliçanit ka vendosur në këtë segment rruge punonjës të mirëmbajtjes, për të normalizuar situatën në rrugë. Kjo rrugë është problematika sa herë që bie shi dhe mjaft e rrezikshme në qarkullim, sidomos gjatë natës pasi aksi nuk ka as drita.

Aksi nacional Berat-Skrapar është një aks me shumë kthesa dhe i pandriçuar, gjë që jo vetëm sjell vështirësi në qarkullimin e mjeteve kur në rrugë ka prezencë të shtuar gurësh por shpesh-herë është shndërruar edhe në burim aksidentesh. Prej vitesh është folur për një projekt madhor siç është rrethimi i zonës kodrinore me rrjeta metalike por deri tani ky projekt nuk është realizuar asnjëherë.

bulqizë berat moti i keq