TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet 1 Shtator 2025, 07:50

Ndarja nga jeta e Dhimitër Anagnostit, Përparim Kabo: U shua fanari i madh i detit të filmit

Shkruar nga Pamfleti

Ndarja nga jeta e Dhimitër Anagnostit, Përparim Kabo: U shua fanari i

Profesori Përparim Kabo ka shprehur ngushëllimet e tij për ndarjen nga jeta të regjisorit të njohur Dhimitër Anagnosti.

Ai e ka cilësuar Anagnostin si “fanari i madh i detit të filmit”, ndërsa e falenderon për artin që dhuroi. I prekur, Kabo shkruan: I paharruar qoftë filozofi i kinematografisë shqiptare Dhimitër Anagnosti.

Profesori thekson se me ndarjen nga jeta të tij është shuar një institucion i vërtetë i artit.

Postimi i profesorit Përparim Kabos:

U shuajt fanari i madh i detit të filmit, filozofi ynë i pelikulës Dhimitër Anagnosti. Sa fat që ishim bashkëkohës me të dhe shijuam artin e tij.” Komisari i Dritës”, ” Dueli i Heshtur”, ” Plagë të Vjetra”, “Në shtëpinë tonë”, “Malet me blerim mbuluar”, dhe më tej me kryevepra si “Lulë kuqet mbi mure”, “Përrall nga e kaluara”, “Kthimi i ushtrisë së vdekur”, ” Gurët e shtëpisë sime”, ” Gjoleka i biri i Abazit”. Mbeti skenar e më tej u kthye në roman një ngjarje shumë ineresante titulluar: “Koburja nga Europa”. Dhimitër Anagnosti ndërtonte figura filmike tejet organike, larg zbukurimeve si fiksion, kombinonte mrekullisht fizionominë dhe karakterin e artistit me tipologjine dhe tiparet e personazhit. Filmi tij refuzoi deklarimet sepse ai si rrall kush kombinoi imazhin me lojën, episodin, ngjarjet dhe tërësinë arkitektonike të filmit krejt organikisht.

U shuajt institucioni Dhimitër Anagnosti. Të përunjem me respekt për artin që na fale. Të falenderoj nga zemra për kohën e bisedave, telefonatave dhe mundësisë për një intervistim kur shkruajta shkrimin me titull: ” Të faleminderit Anagnosti ynë”. Çfarë boshllëku po lë pas ”Felini” ynë. Deti Jonë nga sot do jetë i trishtuar, malet e jugut diçka do murmurisin me erën, ullinjtë do heshtin këtë vjeshtë. Ndofta tani si shpirt engjëllor, brigjeve të tjera deteve të eterit, sheh gjemitë e Anagnostëve që u nisën deteve dhe s’u kthyhen më. Sa e dhimbshme do të jetë që tani e tutje Rozën, trëndafilin tënd të jetës që nga viti 1965 që e shihnim pranë jush, do e takojmë pa Ty, i paharruari, filozofi i kinematografisë shqiptare Dhimitër Anagnosti.

Me lot në sy të themi qofsh me dritën e pasosur!

Panteoni i të Mëdhenjve ju pret asaj bote të paqtë!

MIRENJOHJE, MIRENJOHJE, MIRENJOHJE!

P.Kabo. 1 shtator, 2025.

Lini një Përgjigje