Anti-Mafia11 Shkurt 2024, 17:10

'El Chapo' Trifon Murataj kërcënon në telefon krerët e policisë, kërkon mos t’i kontrollohen arkat me banane për kokainë

Shkruar nga Pamfleti

'El Chapo' Trifon Murataj kërcënon në telefon

Në Shqipëri gjithçka mund të ndodhë. Kërkohet nga drejtësia si i dyshuar si trafikanti më i madh i kokainës, përmes Portit të Durrësit, por kërcënon drejtuesit e lartë të Policisë së Shtetit që të mos i kontrollojnë arkat me banane, të cilat në shumë raste kamuflojnë ngarkesat me kokainë.

Bëhet fjalë për Trifon Muratajn, bosin e kompanisë Zico të Bana King, e damkosur tashmë si një kompani kokaine.

I skeduar edhe nga DEA amerikane si një El Chapo shqiptar, Trifon Murataj, është shpallur në kërkim nga drejtësia shqiptare në 4 nëntor 2022, për trafik sistematik kokaine nga vendet e Amerikës Latine, përmes importit të bananeve.

Trifon Murataj pretendon se ndodhet në SHBA, por në fakt bosi i Bana King lëviz nëpër Tiranë me një kapele në kokë, ku dyshohet se vijon trafikun e kokainës.

Ditët e fundit, Trifon Murataj, përmes një numri amerikan që përdor nga Tirana, ka nisur t’u shkruajë dhe t’u telefonojë drejtuesve të lartë të policisë në Tiranë, duke i akuzuar se po i dëmtojnë biznesin e bananave me vonesat në port për shkak të kontrolleve për kokainë.

Disa drejtues policie nuk u kanë besuar syve dhe veshëve. Është e pazakontë që një i kërkuar për trafik kokaine t’i kërkojë llogari policisë se po i pengojnë linjën e trafikut.

Teksa një drejtues i lartë në Tiranë i kishte kërkuar Trifonit të paraqitej vetë në polici, trafikanti e kërcënoi duke i thënë se do të kishte pasoja.

Nuk dihet nëse bosi i kokainës i ka shkruar edhe ministrit të Brendshëm, Taulant Ballës, i është agazhuar dhe po ushtron trysni ndaj policisë për të kapur personat në kërkim, duke i përballur me drejtësinë.

Murataj rikthehet në krye të Bana King

Në gusht të vitit 2023, bosi i Bana King, Trifon Murataj, i skeduar edhe nga DEA amerikane si një El Chapo shqiptar, ka larguar mëkëmbësin e tij Petrit Demishajn, duke marrë vetë në administrim kompaninë e trafikut të kokainës me banane nga vendet e Amerikës Latine.

Murataj, i cili gjithnjë pretendon se kokainën ia fusin fshehurazi në arkat me banane, u shpall në kërkim vetëm pas herës së katërt që në maunet e tij kapej kokainë.

Pasi nisi të ekspozohej në tre episode të trafikut të kokainës, Trifon Murataj, në korrik të 2022, pra 6 muaj para se të shpallej në kërkim, caktoi Petrit Dermishajn administrator të kompanisë Zico të Bana King.

Pas episodit të fundit të trafikut të kokainës, organet ligjzbatuese shqiptare kanë tentuar të marrin në pyetje Demishajn, i cili ishte larguar jashtë vendit, me sa duket nga frika e arrestimit

Ai është përgjigjur në telefon, duke pretenduar se ishte në SHBA. Petrit Demishajt ka pohuar se është punësuar që në vitin 2010 tek kompania Zico e Trifon Muratajt, si shef i logjistikës.

Murataj në hije dhe Dermishaj në skenë vijuan drejtimin e kompanisë, në bashkëpunim me Desantila Murataj, Anastas Kriqi, Mikel Selami, Ylvi Hana etj.

Por, në korrik të vitit 2023, Murataj është rikthyer si administrator.

Trafiku i kokainës nuk ndalet

Në dhjetor 2023, u zhduk për dy orë kontenieri u “Bana King” nga Porti i Durrësit, duke shënuar ngjarjen më skandaloze të ndodhur ndonjëherë në Portin e Durrësit.

Kontenieri u largua nga porti nga polici Adelion Vila, dyshohet se shkarkoi kokainën në një parking të quajtur “Koromani”, në Shkozet, dhe më pas u rikthye sërish në port për të kaluar në skaner.

Sipas dosjes hetimore, efektivi Vila ka ndjekur kamionin me mjetin e tij, një Benz me ngjyrë gri ndërkohë që, nën shoqërinë e kamionit ka qenë edhe një mjet tjetër, një Xhip me ngjyrë të kuqe, me persona ende të paidentifikuar.

Pasi kamioni me kontenier ka mbërritur në parkimin në Shkozet, një person tjetër, drejtues i një mjeti pirun, është pajtuar për të zbritur ngarkesën me banane.

Më pas, efektivi Vila dhe personat e paidentifikuar kanë nisur shkarkimin e ngarkesës. Dy orë më pas, kamioni me kontenerin ka hyrë sërish në Port, gjithnjë nën shoqërinë e punonjësit të Policisë, Adelion Vila.

Grupi hetimor ka zbuluar se nga kontenieri me banane janë zbritur disa objekte dhe sende, ta panjohura deri më tani.

Prokuroria e Durrësit ka ngritur akuzën “shpërdorimit të detyrës” për punonjësin e Policisë, Adelion Vila, si edhe për Denis Muçaj, Egnis Gojani dhe Alketa Kollçaku, të tre punonjës të shoqërisë koncesionare të terminalit të kontenierëve, “Mariner Adriatic”.

Administrator i kësaj kompanie është Gentian Çomo, ndërsa pronar përfitues është shtetasi maltez Marin Hili.

Nuk dihet nëse Marin Hili dhe Gentian Çomo bashkëpunojnë me Trifon Muratajn për trafikimin e kokainës.

Ky ishte rasti i pestë që El Chapo Trifon Murataj kapej duke trafikuar kokainë, ndërsa ngarkesat që nuk janë kapur besohet se janë të shumta./Prapaskena

\\\'el chapo\\\' trifon murataj kreret e policise arka me banane kokaine