
Pas situatave të shkaktuara në kampin e MEK në Manzë të Durrësit, ditën e sotme policia procedoi penalisht 6 muxhahedinë të moshave nga 61 deri në 73 vjeç për 4 vepra penale, konkretisht: “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik”, “Kundërshtimi i punonjësit të policisë”, “Shkatërrimi i pronës” dhe “Pengime për ekzekutimin e vendimeve të gjykatës”.
Autoritetet po vijojnë hetimet për zbardhjen e shkaqeve për vdekjen e një të moshuari brenda kampit Ashraf, për të cilin policia u shpreh se nuk ka pasur lidhje me ndërhyrjen e policisë.
Sipas TCH mësohet se personi që ndërroi jetë brenda kampit Ashraf 3 më herët ka qenë i shtruar në spital për shkak të problemeve kardiake. Nga të dhënat paraprake mjekët kanë konstatuar se trupi i pajetë nuk ka dëmtime dhe vdekja mund të ketë ardhur nga arresti kardiak. Përgjigjia përfundimtare pritet të dalë javë më vonë, pasi të dalin përgjigjet e analizave mjekoligjore.
Trupi i pajetë u transportua mbrëmjen e djeshme në morgun e kryeqytetit ku iu nënshtrua autopsisë dhe analizave mjeko-ligjore. Gjithashtu po verifikohen pamjet filmike të kryera nga policia për të identifikuar persona të tjerë që kanë kryer veprime të dhunshme ndaj policisë.
Nga ana tjetër, Agjencia e Mbikqyrjes policore ka nisur një hetim për të verifikuar veprimet e policisë nëse kanë qenë konform ligjit duke respektuar etikën dhe të drejtat e qytetarëve iranianë gjatë ndërhyrjes. Nga kundërshtimi i forcave të policisë të cilat po zbatonin një vendim gjykate morën lëndime 15 punonjës policie si dhe u dëmtuan disa automjete.
Lini një Përgjigje